
Dy të mitur nga Afganistani janë arrestuar në Austri nën dyshimin se në muajin korrik sulmuan dhe grabitën një 17-vjeçar nga Kosova në Linz, transmeton albinfo.ch.
Ngjarja kishte ndodhur më 19 korrik, në orët e para të mëngjesit, në zonën Linz-Urfahr. Sipas hetimeve, i riu kosovar ishte sulmuar fizikisht dhe kërcënuar me armë zjarri, ndërsa autorët i kishin marrë paratë.
Në atë kohë, policia nuk kishte arritur të identifikonte të dyshuarit. Hetimet e Policisë Kriminale të Austrisë së Epërme çuan më vonë te dy të miturit, një 16-vjeçar nga Kremsmünster dhe një 15-vjeçar nga Wels.
Me urdhër të prokurorisë, ata u arrestuan më 5 tetor në banesat e tyre. Gjatë kontrolleve, policia gjeti dhe sekuestroi armën që dyshohet se ishte përdorur gjatë grabitjes, si dhe armë të tjera të ndaluara, përfshirë një armë elektroshoku.
Gjatë marrjes në pyetje, të dy të dyshuarit i pranuan pjesërisht akuzat, sipas autoriteteve.
Pas përfundimit të procedurave fillestare policore, dy të miturit u dërguan në Qendrën Korrektuese të Linzit, ku do të qëndrojnë në kuadër të procedurës së mëtejshme.