Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Dy tërmete të fuqishme godasin Venezuelën, dyshohet për dhjetëra viktima

Gazeta10
25 June 2026 - 8:13

Venezuela është përfshirë nga kaosi pas dy tërmeteve të fuqishme që goditën brenda pak sekondash kryeqytetin Karakas, duke shkaktuar viktima, dëme të mëdha materiale dhe operacione të vazhdueshme shpëtimi.

Autoritetet kanë shpallur gjendje të jashtëzakonshme, ndërsa ekipet emergjente po kërkojnë të mbijetuar nën rrënoja.

Sipas të dhënave zyrtare, tërmeti i parë kishte magnitudë 7.2, ndërsa i dyti, edhe më i fuqishëm, arriti magnitudën 7.5 të shkallës Rihter.

Gazeta spanjolle El Pais raporton se të paktën 32 persona kanë humbur jetën dhe më shumë se 700 të tjerë janë plagosur. Autoritetet paralajmërojnë se bilanci i viktimave mund të rritet, pasi operacionet e kërkim-shpëtimit vazhdojnë në zonat më të prekura.

Kryetari i bashkisë së Chacao-s, Gustavo Duque Saez, konfirmoi se të paktën dy ndërtesa në këtë komunë, pjesë e zonës metropolitane të Karakasit, janë shembur plotësisht si pasojë e lëkundjeve të forta.

Sipas tij, ekipet e shpëtimit kanë arritur deri më tani të nxjerrin 18 persona të gjallë nga rrënojat, ndërsa mbi 500 pjesëtarë të shërbimeve emergjente janë angazhuar në terren.

“Askush nuk është vetëm në Chacao dhe ne nuk do të largohemi që këtej derisa të shpëtohet edhe banori i fundit”, deklaroi Duque Saez.

Autoritetet lokale u kanë bërë thirrje qytetarëve që po kërkojnë familjarë të zhdukur të drejtohen në sheshet Plaza Altamira dhe Plaza Los Palos Grandes, ku janë ngritur qendra krize për mbledhjen e informacioneve, shpërndarjen e ujit dhe ofrimin e strehimit të përkohshëm.

“Përveç këtyre dy ndërtesave që janë rrafshuar me tokë, kemi edhe një listë të gjatë objektesh, struktura e të cilave është dëmtuar rëndë dhe paraqet rrezik”, paralajmëroi kryebashkiaku i Chacao-s.

Ndërkohë, autoritetet venezueliane po vazhdojnë vlerësimin e dëmeve, ndërsa frika për pasgoditje të tjera mbetet e lartë në mesin e banorëve.

Më të lexuarat
Nga Rubrika
Lajme
24 June 2026

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.