Kontaktoni

info@gazeta10.com

Sport

E diela plot futboll në Albi Mall Superligë

Gazeta10
14 Maj 2023 - 11:06

Kjo e diel na sjell para xhiron e 34-të në Albi Mall Superligën e Kosovës, pjesë e së cilës janë disa ndeshje interesante.

Edhe tri javë kanë mbetur deri në përfundim të kampionatit, me luftën që po vazhdon si për titullin kampion, ashtu edhe për mbijetesë në elitë.

Fokusi kryesor i kësaj dite padyshim do të jetë në Gjilan, ku në stadiumin me bari sintetik do të përballen Gjilani e Drita.

Drita qëllim kryesor ka fitoren dhe ruajtjen e vendit të parë, gjersa Gjilani dëshiron që të sigurojë vendin e tretë në tabelë, vend që të dërgon në Evropë.

Ndeshje tjetër interesante do të zhvillohet edhe në Therandë, me Ballkanin që do të jetë nikoqir i skuadrës së Llapit.

Ballkani vazhdon ndjekjen për vendin e parë në tabelë, teksa Llapi është jashtë objektivave.

Ndeshje jetike për të ardhmen e tyre luhet edhe në Ferizaj, ku ekipi nga ky qytet mirëpret Trepçën ’89.

Ferizaj synon që të paktën të sigurojë barazhin, ndërsa ’89-shi po lufton për mbetje në ligë pa barazh fare.

Malisheva, e drejtuar nga Bylbyl Sokoli, këtë vikend luan si vendas ndaj kryqytetasve, Prishtinës. Kjo ndeshje ka vlerë të madhe për ta, sepse në rast fitore, pothuajse sigurojnë mbijetesën në Superligë.

Në anën tjetër, Prishtina ka detyrim fitoren, sepse në rast se lëshon pikë, rrezikohet të kalohet në tabelë nga Dukagjini.

Meqë ra fjala te Dukagjini, këta të fundit këtë javë luajnë si mysafir të Drenicës, skuadër e cila tashmë ka rënë një ligë më poshtë.

Të besuarit e Armend Dallkut po luftojnë që të pozicionohen sa më lart në tabelë, kështu duke iu larguar Prishtinës e afruar vendit të tretë, Gjilanit.

Tabelës së klasifikimit në Albi Mall Superligë i prin skuadra e Dritës, me 66 pikë, gjersa po aq pikë ka edhe Ballkani në vendin e dytë, mirëpo ka golaverazh më të dobët.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.