Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Edhe 30 ditë deri te aktgjykimi në Hagë: Katër ish-krerët e UÇK-së presin vendimin

Gazeta10
17 August 2026 - 10:35

Kanë mbetur edhe 30 ditë deri në shpalljen e aktgjykimit ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.

Aktgjykimi është caktuar të shpallet më 16 shtator 2026, në orën 10:00, në një seancë publike.

Katër ish-krerët e UÇK-së janë në paraburgim në Hagë që nga nëntori i vitit 2020.

Jakup Krasniqi u transferua në Hagë më 4 nëntor 2020, ndërsa Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi u transferuan më 5 nëntor 2020.

Që nga arrestimi i tyre kanë kaluar pothuajse gjashtë vjet në paraburgim, ndërsa procesi gjyqësor ka nisur zyrtarisht më 3 prill 2023.

Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit të pretenduara gjatë luftës në Kosovë. Të katër i kanë mohuar akuzat dhe janë deklaruar të pafajshëm.

Gjatë procesit gjyqësor janë dëgjuar 134 dëshmitarë, ndërsa procedurat e provave janë përmbyllur në dhjetor të vitit 2025. Pas deklaratave përfundimtare të palëve, trupi gjykues ka vazhduar me shqyrtimin dhe vlerësimin e provave.

Tani, vëmendja është përqendruar te 16 shtatori, kur pritet të bëhet publik aktgjykimi i shkallës së parë./Gazeta10

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.