
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka akuzuar lëvizjen Antifa dhe shërbime të huaja se po përdorin protestuesit e maskuar që morën pjesë në protestat e dhunshme në Tiranë.
Në një deklaratë për mediat mëngjesin e së hënës, Rama ka kritikuar ata që, sipas tij, qëndrojnë pas maskave dhe përdorin molotovët, shkaktojnë kaos dhe sulmojnë biznese.
“Këto përdoren nga Antifa, nga shërbime të huaja dhe armiqtë e Shqipërisë”, ka deklaruar Rama.
Kryeministri ka përmendur edhe Rusinë, duke thënë se ajo nuk është aleate e Shqipërisë dhe se nuk e dëshiron vendin me ekonomi të zhvilluar dhe pjesë të Bashkimit Evropian.
“Nuk është rastësi që babai ideologjik i Putinit përshëndet popullin shqiptar”, ka thënë Rama, duke e lidhur këtë deklaratë me situatën e krijuar pas protestave të dhunshme.
Ai ka kritikuar gjithashtu mungesën, sipas tij, të dallimit mes protestës paqësore dhe veprimeve të dhunshme, duke theksuar se asnjë parti politike nuk duhet të mbështesë ata që ushtrojnë dhunë.