
Parlamenti i Nxënësve të Shqipërisë u bëri sot thirrje të rinjve, nxënësve të shkollave dhe studentëve të distancohen nga aktet e dhunshme në protestat që kanë hyrë në ditën e tyre të gjashtë në Tiranë.
Në një reagim, Parlamenti i Nxënësve të Shqipërisë shprehet kundër akteve të dhunës pavarësisht se nga kush ushtrohet.
“U bëjmë thirrje nxënësve dhe studentëve që të ruajnë karakterin paqësor të protestave dhe të shmangin çdo veprim që mund të rrezikojë sigurinë e tyre apo të personave te tjerë, si dhe të shmangin ushtrimin e dhunës apo dëmtimin e institucioneve dhe pronës publike e private”.
Parlamenti i Nxënësve të Shqipërisë kërkon nga prindërit të mos i lejojnë të miturit të bëhen pjesë e përplasjeve fizike dhe të komunikojnë me fëmijët e tyre lidhur me sigurinë personale dhe rëndësinë e pjesëmarrjes së përgjegjshme në jetën qytetare.
“Në këtë moment, nevojitet më shumë dialog dhe më pak përplasje. Mbështesim dialogun si proces që mundëson dëgjimin, shqyrtimin dhe adresimin e problematikave”.
Parlamenti i Nxënësve të Shqipërisë është organi përfaqësues i qeverive të nxënësve në nivel kombëtar, me qëllim forcimin e pjesëmarrjes aktive të qeverisë së nxënësve të shkollave 9-vjeçare dhe të mesme të Shqipërisë në proceset e vendimmarrjes dhe në rritjen e cilësisë së procesit arsimor. Parlamenti përbëhet nga 140 nxënës përfaqësues të zgjedhur nga e gjithë Shqipëria, raporton ATSH.
Kujtojmë, sot është dita e gjashtë e protestave në Tiranë. Aktualisht, protestuesit ndodhen në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ku situata është tensionuar.