
Në emisionin Mëngjesi me Arben Ahmetin, është raportuar për rastin e nënës së ish komandat të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dëshmorit Shaqir Krasniqi, nëna Lushe, ku ajo ka treguar se tash e 14 muaj Qeveria nuk është duke ia lëshuar dokumentin që dëshmon se i biri i saj ka qenë pjesë e UÇK-së, raporton Gazeta10.
Kjo ka rezultuar në pamundësinë e marrjen së pensionit që i takon në kuadër të listës së veteranëve.
Ekipi i Kanal10 së bashku me nënën Lushe, ka raportuar për këtë ngjarje nga Klina dhe pastaj para Zyrës së Veteranëve, ku ajo ka treguar se ka bërë kërkesë 4 herë tek Shoqata e Veteranëve, mirëpo ende nuk i është dhënë dokumenti.
“Unë kam qenë në Qeveri, prej Qeverisë shoqatat e Klinës më kanë qu tri-katër herë në Qeveri, nuk më kanë lëshu kurgjo. Të premten jom kanë në Prokuroi Speciale dhe më kanë thënë bëne një kërkesë, dhe unë kërkesën e kom qu me avokatë e kom bo para 4-5 muajve dhe nuk është marrur parasysh. Të premtën e kom marr edhe një kopje të kërkesës dhe nuk më kanë jep kurrëfarë dokumenti tjetër.”, tha nëna e dëshmorit.
Pastaj, së bashku me ekipin e Kanal10, nëna Lushe ishte tek Qeveria, Zyra e Veteranëve, ku u shpreh se meritat e djalit të saj nuk do të lejojë që t’i humbin.
“Mu më vjen shumë keq, shumë vështirë që më kanë pru në këtë gjendje me dal nëpër media që qe 14 muaj e kërkojë dokumentin e djalit edhe nuk ma lëshojnë. Le më që është vra, po këta po më doket që munohen me ja humb tonat po ato nuk humbin se meritat e tij që i ka nuk i humbin kurrë.
Gjatë emisionit në një telefonat direkte me Azis Bicaj, udhëheqës i Zyrës së Veteranëve në kuadër të Qeverisë, ai ka thënë se të dhënat e dëshmorit në fjalë nuk përputhen me listën elektronike, pasi sipas tij mungojnë disa të dhëna.
“Është keqkuptuar sepse çertifikatë elektronike nuk ka, ka çertifikatë që i është lëshuar invalidëve, veteraëve, familjarëve të dëshmorëve por ato janë vetëm fizike Listat janë elektronike. Në listat elektronike na mungon numri personal, na mungon datëlindja, e kemi vetëm emrin dhe shkronjën e emrit të babës, mbiemrin, numrin e aplikacionit, dhe vendlindjen, vetëm këto të dhëna ne i kemi.”/Gazeta10.