
Raporti: Kanal10
Komuna e Podujevës ka nisur aksion për rrënimin e vilave pa leje në afërsi të Liqenit të Batllavës. Ky aksion ka nxitur reagime të shumta, derisa ndërtimet në këtë pjesë vazhdimisht kishin shkaktuar përplasje edhe brenda kabinetit të kryetarit të Podujevës, Shpejtim Bulliqi, shkruan Kana10.
Pak kohë pas aksioneve në Brezovicë, ka nisur rrënimi i vilave që janë ndërtuar pa leje përreth Liqenit të Batllavës.
Një aksion i tillë ishte planifikuar për të hënën, por ishte shtyrë për të enjten, shkaku i situatës në veri të vendit.
Rrënimi i vilave është bërë me vendim të Inspektoratit të Komunës së Podujevës.
Zëdhënësi i Komunës së Podujevës, Fatri Zhitia ka thënë se rrënimi i vilave ka ardhur pas procedurave të parapara për këso rastesh.
Ai ka thënë se pas ankesave të qytetarëve, është vazhduar me rrënimin e vilave, për të mbrojtur këtë pjesë nga degradimi.
Kanal10, muaj më parë kishte raportuar për ndërtimet pa leje përreth Liqenit të Batllavës.
Këto ndërtime kishin shkaktuar edhe përplasje në qeverisjen e Shpejtim Bulliqit, të cilat ishin përcjellë edhe me shkarkime, dorëheqje, vërejtje e akuza në kabinetin e të parit të Podujevës.
Kjo kishte bërë që Komuna ta shkarkojë drejtorin e Inspektoratit, Besnik Mulliqin, i cili më pas kishte akuzuar kryetarin Bulliqi për ndërhyrje.