
Deputetja e PDK-së, Eliza Hoxha, ka kritikuar Qeverinë në detyrë dhe Lëvizjen Vetëvendosje për, siç ka thënë ajo, “heshtjen e Kuvendit” dhe mungesën e adresimit të problemeve të qytetarëve në institucionet përkatëse.
Në një reagim të publikuar në rrjetet sociale, Hoxha ka thënë se në mungesë të funksionimit të Kuvendit, qytetarët janë detyruar që kërkesat e tyre t’i adresojnë në rrugë.
“Sfidat, nevojat dhe kërkesat e qytetarëve duhet të adresohen në Kuvend. Në mungesë të tij, sot një grup i komunitetit të bujqve ishte me ne për t’i adresuar ato në rrugë, para dyerve të Qeverisë e përballë Kuvendit”, ka shkruar ajo.
Hoxha ka përmendur edhe problemet me të cilat, sipas saj, po përballen fermerët, duke veçuar prodhuesit e qumështit dhe grurit.
Ajo ka thënë se qumështarët përballen me stok të prodhimit në rastet kur prodhojnë më shumë qumësht, ndërsa për prodhuesit e grurit ka ngritur shqetësimin për rënien e çmimit nga 35 centë në rreth 17 centë për kilogram.
Sipas Hoxhës, një tjetër problem është importi i grurit nga Serbia, ndërsa ka kritikuar edhe vonesat në subvencionet për bujqit.
“Prandaj Kuvendi ka rëndësi. Sepse aty ndodh llogaridhënia për politikat e gabuara, për problemet e qytetarëve dhe për shpenzimin e taksave të tyre”, ka përfunduar Hoxha.