
Këshilltari politik i ministrit të Shëndetësisë, Durim Elshani ka reaguar ndaj deklaratave të ish-luftëtarit të UÇK-së, Gani Koci në “Politiko” , duke i cilësuar ato si të pasinqerta dhe kontradiktore.
Sipas tij, Koci fillimisht kishte thënë se nuk ka marrë mbështetje nga institucionet shëndetësore të Kosovës, ndërsa më pas pranoi se ka përfituar, duke publikuar edhe vendimin dhe shumën.
Elshani thekson se dokumentet e publikuara nuk përfaqësojnë raportin dhe faturën e trajtimit të miratuar nga Fondi, por një ekzaminim diagnostik dhe një ofertë tjetër trajtimi.
Ai shton se për çdo trajtim të mbështetur duhet të dorëzohen raporti mjekësor dhe fatura përkatëse, ndërsa çdo trajtim i ri kërkon procedurë dhe vlerësim të ri nga mjekët e QKUK-së.
Sipas tij, edhe fatura prej 3,050 eurosh nuk bazohet në raportin e QKUK-së, duke rikujtuar se shërbimi PET/CT ofrohet në këtë institucion që nga prilli i vitit 2024.
Në fund, Elshani i bën thirrje Kocit të ndjekë procedurat dhe të mos akuzojë institucionet për mungesë mbështetjeje pa bazë./Gazeta10