
Mesfushori i talentuar, Lindon Emërllahu është shprehur i lumtur që iu ka dhënë mundësia të jetë pjesë e Kombëtares.
“Ftesa e Giresse ka qenë e pabesueshme për mua. Të jesh pjesë e Kombëtares është ndjenjë e papërshkrueshme. Shpresoj që edhe futbollistë tjerë të Superligës në të ardhmen të marrin ftesa nga Kombëtarja dhe ta përjetojnë këtë ndjenjë”.
“Ekipi më ka pritur shumë mire, është thjesht një ndjenjë e papërshkrueshme”.
“Secili prej lojtarëve më është afruar, më ka përkrahur dhe më ka pritur jashtëzakonisht mirë. Gjatë këtyre ditëve jemi përgatitur mjaft mirë. Atmosfera është shumë e mirë në grup, si jashtë fushës, ashtu edhe brenda fushës dhe shpresoj në rezultat pozitiv”, ka thënë Emërllahu.
Përfaqësuesja e Kosovës nesër në mëngjes udhëton në Belfast, ku do ta zhvillojë stërvitjen e fundit para ndeshjes së të shtunës.