Kontaktoni

info@gazeta10.com

10 LIVE

Emri i 48-vjeçarit të vrarë lidhej me pretendimet se u lirua nga akuza pasi gjyqtari i EULEX mori 300 mijë euro

Gazeta10
24 January 2023 - 13:22

Ish-vetarani i UÇK-së Nysret Cena 48-vjeçar, u vra mbrëmë me breshëri plumbash në veturë në Kaçanik të Vjetër nga persona të panjohur dhe për motive të panjohura deri më tani. Emri i tij, nuk është i padëgjuar për organet e drejtësisë në vend. Nysret Cena ishte i akuzuar për vrasjen e trefishtë afër Kaçanikut, ndodhur në vitin 2007. Por, i njëjti ishte liruar nga akuza. Ish-prokurorja e EULEX-it, Maria Bamiah pretendonte se gjyqtarit italian Francesco Florit iu dha ryshfet prej 300,000 euro për të “pastruar” të tre të dyshuarit për vrasjen e trefishtë të asaj kohe, por ishte liruar vetëm Cena.

Në një artikull të vitit 2014, “Ballkan Insight” shkruante se dy burra, Besnik Hasani dhe Shpend Qerimi, të dy ish-pjesëtarë të njësisë speciale të Kosovës, u dënuan për vrasjet. Në atë kohë, ata tashmë po vuanin dënimet për organizimin e shpërthimit të një bombe në bulevardin Bill Clinton në Prishtinë në vitin 2007, i cili vrau dy persona.

Megjithatë, i dyshuari i tretë në rastin e vrasjes së trefishtë Baftiu, Nysret Cena, u lirua.

Prokurorja e suspenduar e EULEX-it, Maria Bamiah pretendoi se gjyqtarit italian Francesco Florit iu dha një ryshfet prej 300,000 euro për të pastruar të tre të dyshuarit, por vetëm Cena u lirua.

Pohimet e Bamiah ishin mbështetur nga Flurim Asani, vëllai i Besnik Hasanit.

“Unë shkova në Shqipëri me avokatin tim Mahmut Halimi i cili u takua me Francesco Florit në portin e Durrësit dhe ata hipën në një varkë dhe patën një takim për katër orë. Ky takim ishte për të negociuar se sa para do të paguanim për lirimin e të tre të dyshuarve, përfshirë vëllain tim,” kishte thënë Hasani për BIRN.

Në raportim shkruan se kur BIRN kishte kontaktuar me ish të dyshuarin Nysret Cena, ai kishte mohuar gjithçka.

Policia e Ferizajt njoftoi sot se nga hetimet e para, ekzaminimit të vendit të ngjarjes dyshohet se personi/persona të panjohur në Kaçanik të Vjetër nga afërsia kanë shti breshëri plumbash mbi automjetin dhe shoferin Nysret Cena e më pas janë larguar nga vendi i ngjarjes në drejtim të panjohur.

“Jo larg vendit të ngjarjes në fshatin Soponicë të Kaçanikut është gjetur edhe një automjet tjetër i udhëtarëve i përfshirë nga flaka, ku ekziston dyshimi se personat e dyshuar pasi e kanë kryer vrasjen në Kaçanik të Vjetër i kanë vënë flakën automjetit dhe janë larguar”, u tha në njoftim.

Me vendim të prokurorit kujdestar nga Prokuroria Themelore në Ferizaj trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për obduksion. /Gazeta10

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.