Kontaktoni

info@gazeta10.com

10 LIVE

Epopeja e UÇK-së, Osmani: Liria dhe shteti ynë mbajnë vulën e Adem Jasharit

Gazeta10
05 March 2023 - 12:45

Presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti morën pjesë në ceremoninë e rreshtimit të kuadrateve të FSK-së, me rastin e shënimit të Epopesë së UÇK-së, 25-vjetorin e rënies së familjes Jashari, në natën mes 4 dhe 5 marsit të vitit 1998.

Presidentja Osmani ka thënë se Epopeja nuk është vetëm një histori lufte por edhe histori e këmbënguljes, raporton Gazeta10.

“Epopeja e UÇK-së nuk është vetëm një histori lufte e beteje por një histori e qëndrueshmërisë, këmbënguljes e shpresës. Është një histori sakrifice por edhe histori triumfi ndaj krimeve të shkaktuara nga regjimi gjenocidal i Serbisë.”, u shpreh presidentja.

Komandantja Supreme e FSK-së, në manifestimin e mbajtur në kazermën “Adem Jashari” u shpreh se shteti ynë dhe liria jonë mbajnë vulën e Adem Jasharit.

“Këta burra e gra ju përgjigjën kushtrimit për liri, ndaj me trimëri, guxim e vetëmohim të palëkundur luftuan për ta mbrojtur shtëpinë tonë – Kosovën dhe për të siguruar një të ardhme më të mirë për të gjithë ne. Ata nuk ishin thjeshtë ushtarë, ata ishin dhe mbesin heronj. Kjo liri dhe ky shtet mbajnë vulën e Komandantin Legjendar Adem Jashari, familjes së tij dhe 3000 dëshmorëve të UÇK-së dhe mijëra luftëtarëve që i kemi edhe sot mes nesh”, ka thënë presidentja Osmani në fjalimin e saj para ushtarëve të FSK-së.

Ajo ka thënë se të rënët për liri janë mëshirim i trimërisë dhe nderit.

“Prandaj në ditët e Epopesë kujtojmë jo vetëm ata që dhanë jetën për lirinë tonë, por edhe trimërinë dhe guximin e të gjithë ushtarëve tanë që luftuan pa kursyer asgjë për ta mbrojtur kombin dhe vendin tonë”, ka shtuar e para e shtetit.

Ceremonina e rreshtimit të kuadrateve të FSK-së u mbajt në kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë, në kuadër të manifestimeve të 25-vjetorit të rënies heroike të komandantit legjendar dhe familjes së tij në Prekaz.

Në këtë ceremoni të pranishëm ishin edhe kryeministrin Albin Kurti, kryeparlamentarit Glauk Konjufca, komandanti i FSK-së, Bashkim Jashari dhe anëtari i familjes Jashari, Rifat Jashari./Gazeta10

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.