
Presidenti turk Tajip Erdogan tha të martën se Rusia po shkurton flukset e gazit natyror në Evropë si hakmarrje për sanksionet, duke shtuar se Evropa “po korr atë që mbolli”, shkruan Reuters, transmeton Gazeta10.
Frika në Evropë është rritur për një dimër potencialisht të vështirë pasi Rusia njoftoi se po mbante të mbyllur tubacionin e saj kryesor të gazit për në Gjermani.
“Evropa në fakt po korr atë që mbolli, Putini po përdor të gjitha mjetet dhe armët e tij, dhe më e rëndësishmja prej tyre është gazi natyror. Fatkeqësisht – ne nuk do ta dëshironim këtë, por – një situatë e tillë po zhvillohet në Evropë,” u tha Erdogan gazetarëve në Ankara të martën, duke shtuar se sanksionet e shtynë Putinin të hakmerret duke përdorur furnizimet me energji.
Rusia ndaloi për një kohë të pacaktuar flukset përmes tubacionit Nord Stream 1 dhe ka ndërprerë ose ka mbyllur furnizimet në tre prej tubacioneve të saj më të mëdha të gazit drejt perëndimit që nga fillimi i pushtimit të Ukrainës në 24 shkurt. Furnizimet e naftës janë ridrejtuar gjithashtu drejt lindjes, shkruan Reuters./Gazeta10.