Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Escobar për N1: Harrojeni “Kosova është Serbi”, shkoni në “Kosova dhe Serbia janë Europë”

Gazeta10
26 August 2022 - 20:49

I dërguari special amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha në një intervistë për N1 se mendon se fillimi i përmirësimit të marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës është në horizont. “Dhe duhet të them se takimi mes Presidentit Vuçiq dhe kryeministrit Kurti ishte vërtet i mirë, shumë profesional dhe i qetë. Ishte inkurajuese të shihje atë nivel të hapjes në praninë e Përfaqësuesit të Lartë të BE-së, Borelj dhe zotit Lajçak”, ka thënë ai, raporton N1, transmeton Gazeta10.

Escobar tha se ata e inkurajuan Prishtinën që të jetë më konstruktive dhe fleksibile dhe se e sheh se ka vullnet për këtë. Ai ndër të tjera tha se askush nuk duhet të lëndohet për shkak të targave dhe se të dy palët duhet të fokusohen në zgjidhjet evropiane. “Mendoj se duhet të harrojmë narrativën se Kosova është Serbi dhe të kalojmë në atë që Kosova dhe Serbia janë në të vërtetë Evropë”, ka theksuar ai.

Në një intervistë për N1, ai ka thënë se ka ardhur me mesazhin se ka shqetësim të madh në bashkësinë ndërkombëtare për përshkallëzimin e mundshëm të dhunës për shkak të masave të ndërmarra nga qeveria e Kosovës.

 “Gjatë vizitës sime në Prishtinë, Mitrovicë dhe Beograd, kam krijuar përshtypjen se të gjitha palët janë të përkushtuara për të gjetur një zgjidhje paqësore për të dalë nga kjo krizë. Dhe ky është mesazhi që do t’i dërgoj Uashingtonit: besoj se të dyja palët do të gjejnë një zgjidhje kompromisi që do t’i mundësojë popullit të Kosovës të jetojë në paqe”, tha Escobar.

I pyetur nëse ka paraqitur ndonjë propozim për zgjidhjen e çështjes së dokumenteve personale dhe targave, ai ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara nuk janë pjesë e procesit të negociatave që zhvillohet nën patronazhin e Bashkimit Evropian. “Procesi udhëhiqet nga Bashkimi Evropian dhe ne e mbështesim atë proces, kështu që të gjitha propozimet dhe rekomandimet vijnë nga BE-ja”, shtoi ai.

Kur u tha se mori pjesë në procesin e negociatave në Bruksel, ai tha se nuk ishte pjesë e negociatave dhe se ishte atje vetëm si mbështetje. “Roli im ishte të inkurajoja të dyja palët që të jenë konstruktive dhe fleksibël, të dërgoja një mesazh se SHBA-të e mbështesin plotësisht këtë proces dhe se është një proces me rëndësi të madhe për komunitetin euroatlantik dhe zgjidhjen e mosmarrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Por përveç kësaj, dua të them se ky proces është shumë i rëndësishëm edhe për SHBA-në, si dhe se ne jemi të përfshirë në të dhe se do të insistojmë në zbatimin e zgjidhjeve që dalin nga ky proces. Gjithashtu, ne do të kërkojmë mënyra për të krijuar mundësi që do të ofrojnë mbështetje politike dhe ekonomike, do të çojnë në ngritjen e kapaciteteve dhe do të na lejojnë të bëjmë gjithçka që mundemi për t’i bërë këto zgjidhje të funksionojnë për të dyja palët”, thotë Escobar. / Gazeta10.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.