
Tubimit të sotëm të deputetëve të PDK-së dhe Aleancës para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës iu bashkua edhe një grup studentësh të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, të cilët kërkuan zhbllokimin e institucioneve dhe fillimin e punës së Kuvendit.
Tubimit të sotëm të PDK-së para ndërtesës së Qeverisë iu bashkua edhe grupi i studentëve në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”.
Granit Spahiu nga grupi i studentëve tha se bllokimi i institucioneve është një mesazh shumë i keq për një gjeneratë të tillë.
Deputeti i PDK-së, Përparim Gruda tha se kjo Qeveri ka ofruar për studentët vetëm largimin nga Kosova.
“Këta studentë që kanë ardhur sot duhet të kishin qenë fëmijë kur Albin Kurti ka fituar zgjedhjet në vitin 2020. Duhet të kishin qenë në gjimnaz ose në shkollë fillore. Sot janë studentë edhe shohin të vazhdojë e njëjta krizë. Dikush që në vitin 2020 kur ka fituar Albin Kurti ka qenë nxënës, sot mund të jetë i diplomuar në universitet edhe pret të gjejë një vend pune. Në fakt e vetmja gjë që ju ka ofruar mbasi ka diplomuar është largimi prej Kosovës. 300 mijë njerëz e kanë lëshuar Kosovën për 5 vjet. Ky nuk është migrim, kjo nuk është lëvizje e njerëzve, kjo është zhvendosje masive e njerëzve prej Kosovës. Dhe kjo ndodh sepse përveç qeverisjes, sot është përmbysur rendi kushtetues. Si mund të presë një i ri që ka ardhur sot me neve këtu që të bëhet diçka për të, për familjen e tij, për prindërit e tij, për një vend pune që kërkon pas diplomimit kur organi kryesor i vendit mbahet i bllokuar”, tha Gruda.
Ndërsa, deputetja e Aleancës, Albana Byqtyqi ka ftuar Kurtin të formojë institucionet.
Përndryshe, deputetët e PDK-së dhe Aleancës tash e disa javë po qëndrojnë për disa orë para qeverisë në shenjë proteste, duke kërkuar thirrjen e vazhdimit të seancës konstituive. Ata po konsiderojnë se kabineti qeveritarë ka uzurpuar ndërtesën e Qeverisë, pasi ata tanimë janë betuar si deputetë. Ndërkohë, akuzojnë Lëvizjen Vetëvendosje se po shkel Kushtetën dhe rregulloren e Kuvendit.