
Raporti: Egzona Shala
Pa ndonjë aktivitet të vecantë në Kosovë, është shënuar 24 vjetori i bombardimeve të NATO-s mbi forcat serbe. Presidentja Osmani në shoqërimin e ambasadorit amerikan kan qëndruar tek pllaka e falendërimit për ushtarët e NATO-së në sheshin qëndror të Prishtinës, ndërsa liderë të tjerë shtetërorë e politikë përkujtuan këto ditë në rrjetet e tyre sociale.
24 vite më parë, më 24 mars aeroplanët e NATO-s bombarduan forcat serbe, e cila i dha fund luftës gati dyvjeçare në Kosovë.
Pas deklaratës së presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Clinton, para popullit amerikan se kishte urdhëruar fillimin e operacionit ushtarak, historia e popullit të Kosovës mori një kthesë tjetër.
Për aktin amerikan dhe të shteteve tjera, mirënjohjet janë shprehur cdo vit nga liderët e vendit.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e shoqëruar nga ambasadori amerikan në Prishtinë ka vizituar një pllakë falendërimi për NATO-në.
Ajo ka shkruar ‘se ndërhyrja e NATO-s, Kosovës i hapi një rrugë drejt një të ardhmeje më të ndrishtëme’.
“24 vjet më parë, aleatët tanë të NATO-s u mblodhën për t’i dhënë fund brutalitetit të një regjimi gjenocidial. Ndërhyrja shpëtoi miliona jetë, por gjithashtu hapi rrugën drejt një të ardhmeje më të ndritshme, më të begatë dhe paqësore për popullin e Kosovës dhe rajonit. Jemi përjetësisht mirënjohës”, tha Osmani.
Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca ka thënë se me mbështetjen e miqve do të avancojnë në procese të tjera për zhvillimin e vendit.
“Jemi të vendosur që, me mbështetjen e miqve dhe aleatëve tanë të përhershëm, të avancojmë në proceset integruese dhe ta mbrojmë me çdo kusht pavarësinë, sovranitetin, integritetin territorial dhe rendin kushtetues në çdo pjesë të shtetit tonë”, tha Konjufca.
E në postimin e kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi nuk mungoi pa u përmendur edhe lufta e UCK-së.
“Kjo ndërhyrje, e cila erdhi si rrjedhojë e përpjekjeve, kërkesës dhe rezistencës së popullit tonë për liri, përfshirë luftën e drejtë dhe të guximshme të UÇK-së, i dha fund një regjimi gjenocidal duke hapur epokën e ëndërruar të lirisë për ne”, tha Krasniqi.
Sulmet kishin filluar në orën 19:45 ku fushata ajrore zgjati 78 ditë dhe u përmbyll me dëbimin e forcave serbe nga Kosova, dhe me hyrjen e rreth 50 mijë ushtarëve të NATO-s në Kosovë. /Gazeta10/