Sport

Federata e Spanjës kundër Barcelonës në aferën e korrupsionit

Gazeta10
16 Mars 2023 - 19:06

Federata e Futbollit të Spanjës i është bashkuar listës së gjatë të atyre që mund të marrin veprime ligjore kundër Barcelonës në çështjen e korrupsionit.

Prokurorët javën e kaluar akuzuan Barcelonën për përfshirje në korrupsion dhe falsifikim të dokumentacionit që kishte të bënte me pagesën e miliona eurove për më shumë se një dekadë për një kompani që i takonte ish-zëvendëspresidentit të komitetit të gjyqtarëve spanjoll.

Këto akuza kanë nisur të hetohen dhe prokurorët e specializuar kundër korrupsionit po merren me çështje.

Palët e tjera kundër klubit janë Qeveria e Spanjës, liga e Spanjës, Real Madridi dhe shumë klube të tjera.

Federata spanjolle ka thënë të enjten se ka dërguar një raport në UEFA për ta njoftuar rreth rastit të Barcelonës. Federata ka thënë se ka dhënë kontributin tek autoritetet, ndërsa ka shtuar se ka nisur hetimet e veta.

Federata po ashtu ka bërë thirrje për “qetësi’ në botën e futbollit për “të ndihmuar në uljen e tensioneve” që i kanë përfshirë gjyqtarët në Spanjë.

“Kjo nuk është e dobishme për futbollin”, ka thënë federata spanjolle. “Drejtësia kërkon kohë dhe veprimet e supozuara të paligjshme duhet të vërtetohen”, është thënë tutje në deklaratë.

Pagesat e Barcelonës janë bërë publike muajin e kaluar. Klubi ka mohuar se ka bërë diçka gabim apo ka konflikt interesi, duke thënë se ka bërë pagesa për raporte teknike për gjyqtarë, por asnjëherë për të tentuar të ndikojë në vendimet e tyre në ndeshje.

Presidenti i klubit, Joan Laporta, ka thënë se Barcelona ka qenë “viktimë e një fushate për ta dëmtuar ndershmërinë e saj”.

Nga dokumentet të cilat i ka parë edhe mediumi “Associated Press”, prokurorët kanë thënë se pagesat e klubit kapin shifrën e 7.3 milionë eurove, prej vitit 2001 deri në vitin 2018.

Deri tani nuk ka asnjë provë që gjyqtarët apo rezultatet e ndeshjeve kanë qenë të ndikuara gjatë periudhës në të cilën Barcelona i kreu këto pagesa.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.