
Pas paraqitjes në Kampionatin Botëror U19 në Egjipt dhe organizimit të Kampionatit Evropian U17 për hendbolliste në Prishtinë, Federata e Hendbollit e Kosovës ka arritur një tjetër sukses në rrafshin ndërkombëtar.
Federatës sonë i është besuar organizimi i Kampionatit të Hapur Mesdhetar për hendbolliste të reja. Është kjo ngjarje shumë cilësore, ku paraqiten ekipet kombëtare të disa prej vendeve me hendbollin më të zhvilluar në Evropë.
Pritet pjesëmarrja e deri në 14 ekipeve kombëtare.
Kampionati i Hapur Mesdhetar për të Reja do të mbahet prej 8 deri më 15 shkurt të vitit të ardhshëm në Prishtinë. Të drejtë pjesëmarrjeje do të kenë hendbollistet e lindura në vitin 2010 dhe më të reja.
Kampionati Mesdhetar në Prishtinë do të jetë i 19-ti me radhë për lojtare të reja.
Kampionati i kaluar u mbajt në Podgoricë në shkurt të këtij viti. Morën pjesë plot 13 ekipe kombëtare. Pos Kosovës e Malit të Zi morën pjesë edhe Spanja, Rumania, Sllovakia, Kroacia, Sllovenia, Italia, Turqia e disa kombëtare të tjera.