
Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi, ka deklaruar se janë duke vazhduar punimet për shtrirjen e rrjetit të kanalizimit në fshatin Novolan, përfshirë edhe zonat ku ky shërbim ende nuk është ofruar.
Idrizi tha se pjesa më e madhe e fshatit tashmë është e mbuluar me rrjet kanalizimi, ndërsa kompania e kontraktuar po vazhdon punimet në terren.
“Planifikimet janë për shtrirjen e rrjetit të kanalizimit edhe në atë pjesë ku nuk është shtrirë sepse pjesa ma e madhe e fshtatit Novolan vetëm se e kanë të shtrirë, kemi kontratë dhe kompania është në teren duke punuar dhe kisha pasur dëshirë që ai qytetar që e ka adresuar ankesën tek ju ta adresojë edhe në numrin tim të telefonit, patjetër që ekipa do të dal në teren dhe ta zgjidhë problemin”, tha Idrizi.
Ai shtoi se është i gatshëm të pranojë drejtpërdrejt ankesat e qytetarëve, duke siguruar se ekipet komunale do të dalin në terren për të trajtuar dhe zgjidhur problemet e raportuara./Gazeta10