
Kryendeshja e xhiros së pestë në Albi Mall Superligën e Kosovës, ndërmjet Prishtinës dhe Ballkanit shkaktoi një incident ndërmjet tifozërive të të dyja grupeve, raporton Gazeta10.
Tifogrupi i vendasve, “Plisat”, sulmuan tifozët nga Suhareka, “Xhebrailat” – teksa edhe ndeshja nisi me disa minuta vonesë shkaku i pasigurisë në stadium.
Lidhur më këtë incident ka reaguar edhe Federata e Futbollit të Kosovës, ku e ka dënuar ashpër këtë përleshje mes tifozërive.
“Federata e Futbollit e Kosovës dënon ashpër incidentin e shkaktuar mbrëmë në kuadër të ndeshjes së xhiros së pestë të Albi Mall Superligës ndërmjet FC Prishtina dhe FC Ballkani. Stadiumi “Fadil Vokrri” dhe çdo stadium tjetër në Kosovë, duhet të jetë vendi ku tifozeritë në mënyrë të dinjitetshme marrin pjesë për të përkrahur skuadrat e tyre, por nuk duhet të shihen si arena për të shprehur mllefin personal apo grupor, duke shkaktuar incidente të tilla.” thuhet ndër të tjerash në reagimin e FFK-së.
Lidhur më këtë rast, Policia e Kosovës ka njoftuar këtë të hënë se një person ka pësuar lëndime pas përleshjes, teksa njëri prej tyre dyshohet se është therur me mjet të mprehtë.
Viktimës i është ofruar tretman mjekësor, teksa u njoftua se rasti tashmë është nën hetime.
“Viktima mashkull kosovar ka pësuar lëndime gjatë një rrahje në mes të disa personave, pasi i njëjti dyshohet se është therur me mjet të mprehtë nga një person i dyshuar. Lidhur me rastin viktimës i është ofruar tretman mjekësor. Lidhur me rastin është informuar edhe prokurori. Rasti nën hetime”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Skuadra nga Suhareka, Ballkani fitoi ndaj Prishtinës me rezultat 1 me 0. /Gazeta10/