
Së shpejti në ekranin e Kanal10 do të vijë seriali më i ri vendor, “Fluturon, fluturon”. Lajmin e ka bërë të ditur Ridvan Murati gjatë emisionit “Prime Verë” në Kanal10, ku ka ndarë detaje rreth projektit të ri televiziv.
Murati ka bërë të ditur se transmetimi i episodit të parë pritet të nisë në muajin shtator, ndërsa seriali do të publikohet një herë në javë.
“Datën e saktë ende nuk e kemi, por muajin e dimë, shtatorin. Atëherë do të jetë transmetimi i parë dhe seriali do të jetë një herë në javë”, ka thënë Murati.
Ai ka treguar se pas gjysmës së gushtit pritet të fillojnë edhe xhirimet e episodeve të reja, me synimin që projekti të vazhdojë pa ndërprerje.
“Pas gjysmës së gushtit mendojmë të fillojmë me xhirimet tjera, që më pas të kemi mundësi të fillojmë në shtator dhe të mos ndalemi”, është shprehur ai.
Sipas tij, një episod i serialit tashmë është realizuar, ndërsa ekipi është duke punuar për vazhdimin e projektit.
Përveç “Fluturon, fluturon”, Murati ka bërë të ditur se Kanal10 së shpejti do të transmetojë edhe një tjetër serial të realizuar më herët me Ernest Zymberin.
“Do të fillojmë edhe me një serial tjetër që e kemi realizuar me Ernestin para disa vitesh. Kemi realizuar mbi 80 episode dhe kemi bërë marrëveshje me Kanal10 për transmetim. Besoj që nga java tjetër do të startojmë me transmetim”, ka deklaruar ai /GAZETA10/