
Një vepër arti në sheshin e Prishtinës sot ka provokuar interesin e qytetarëve.
Shumë prej syresh janë fotografuar, e dhjetëra të tjerë kanë shprehur fjalë përgëzimi për këtë vepër arti.
Aty duket një burrë, i ulur këmbëkryq, që mendohet e sipas organizatorëve deri tek kjo vepër arti janë frymëzuar nga një protestues i Kosovës para tridhjetë vitesh që qëndronte i vetëm në mesin e qindra policëve serbë.
Bëhet fjalë për Faik Rexhepin, nga Lugina e Preshves. Kjo foto ishte shkrepur atë kohë nga fotografi i mirënjohur, Hazir Reka në demonstratat e vitit 1990 përballë Hotelit Grand në Prishtinë.
Rexhepi ishte inxhinier i kimisë në “Ferronikel” të Drenasit. Në këtë moment ishin instaluar masat e dhunshme nga Serbia. Ndaj, si shumë kolegë të tjerë, nuk mundte të rrinte i qetë para sfidave historike: terrorit që në të gjitha sferat e ushtronte Serbia! Kështu, me të dëgjuar për vizitën e paralajmëruar të delegacionit amerikan në Prishtinë, Rexhepi me shokët vendosi të vinte në Prishtinë.
Arsyeja ishte ardhja e delegacionit të Kongresit të SHBA-së në Kosovë, që udhëheqej nga senatori Robert Joseph “Bob” Dole.
Kjo vizitë e cila ishte organizuar nga veprimtarët e komunitetit shqiptar në SHBA, u bë në kohën më të vështirë të represionit dhe terrorit shtetëror serb, në vitin 1990 ku senatori Dole kishte ardhur për të parë gjendjen nga afër./Gazeta10

