
Gazetari Kreshnik Gashi ka folur për rëndësinë e integrimit të Kosovës në Bashkimin Evropian, duke theksuar se anëtarësimi në BE nuk është vetëm çështje politike, por edhe nevojë për zhvillimin shoqëror dhe ekonomik të vendit.
Në emisionin Adresa në Kanal10, Gashi renditi disa nga arsyet pse Kosova duhet të ecë drejt integrimit evropian.
“Integrimi në BE nuk është vetëm nevojë në aspektin politik, por edhe nevojë në aspektin e zhvillimit shoqëror të këtij vendi. Në rast se ne nuk jemi të integruar në BE, bizneset e këtij vendi duhet me u mbyll dhe me migru në vende tjera, sepse s’kanë me mujt me eksportu e me pas qasje në tregjet evropiane”, tha ai.
Sipas Gashit, edhe sistemi arsimor lidhet ngushtë me standardet evropiane.
“Arsimi, në momentin që nuk punon sipas standardeve të BE-së, njerëzit që edukohen në këtë vend nuk kanë me mujt me punu në BE”, deklaroi ai.
Ai shtoi se Kosova nuk mund të largohet nga standardet evropiane, duke filluar nga niveli komunal deri tek institucionet më të larta të shtetit.
“Sa i përket standardeve, prej atij komunal deri te aspekti më i lartë, ne nuk mundemi me rrëshqit prej standardeve evropiane”, përfundoi Gashi.