
Drejtori i Drejtorisë së Sportit në Komunën e Prishtinës, Granit Geci, ka thënë se përgjegjësia për situatën e krijuar rreth organizimit të Lojërave Mesdhetare 2030 është e qartë, duke ia atribuuar atë Qeverisë së Kosovës.
I ftuar në emisionin “N’Fluturim” në Kanal10, Geci ka deklaruar se mungesa e komunikimit dhe neglizhenca institucionale kanë bërë që procesi të hyjë në një fazë kritike, duke rrezikuar organizimin e këtij eventi.
“Nëse flasim vetëm mbi fakte dhe qëndrojmë në atë linjë, përgjegjësia është krejt e qartë. Qeveria e Kosovës na ka sjellë në këtë momentum ku nuk flasim më se si do të mbahen lojërat, por flasim se a do të mbahen lojërat. Paqartësi dhe rrezik permanent tash e disa muaj”, deklaroi Geci.
Ai tha se shqetësimet janë ngritur prej muajsh, duke shtuar se fillimisht kanë pritur një reagim institucional për ta shtyrë përpara procesin, por kjo, sipas tij, nuk ka ndodhur.
“Arsyeja pse ne kemi alarmuar është se kemi pritur që do të vijë një këndellje institucionale e qeverisë sonë për ta shtyrë përpara këtë proces tejet të rëndësishëm. Këto shqetësime i kemi me gjatësi. Sa u bë alarmi i kohës, kemi dashur ta ruajmë një atmosferë pozitive, por tash kemi ardhur në një momentum ku jemi detyruar t’i alarmojmë edhe institucionet edhe qytetarët për gjendjen ku kemi ardhur”, u shpreh ai.
Geci theksoi se nuk është e pranueshme që kërkesat e komunitetit ndërkombëtar të mbeten pa përgjigje nga institucionet e Kosovës.
“Nuk është në rregull aspak të marrim letra prej komunitetit ndërkombëtar dhe të mos përgjigjet askush nga Qeveria. Po dua ta thjeshtësoj: arsyeja pse kemi ardhur deri në këtë pikë është për shkak të neglizhencës dhe injorancës që i është bërë komunitetit ndërkombëtar nga Qeveria e Kosovës. Nuk i është kthyer asnjë email, kërkesat kanë qenë tepër të qarta. Pagesa që mundëson të vazhdohet tutje me organizim është dashur të bëhet. Është dashur të ketë komunikim normal mes palëve”, deklaroi Geci.
Ai e cilësoi procesin e organizimit të Lojërave Mesdhetare si më të rëndësishmin për Kosovën në aspektin sportiv, politik, financiar dhe diplomatik që nga shpallja e pavarësisë.
“Ky proces, pas shpalljes së pavarësisë, e konsideroj procesin më të rëndësishëm edhe sportiv, edhe politik, edhe financiar, edhe diplomatik. Uroj që mos të ndodhë, por një dështim i tillë është dështim i Republikës së Kosovës”, theksoi ai.
Geci rikujtoi se në vitin 2023, në Greqi, ishte marrë vendimi që Prishtina të organizojë Lojërat Mesdhetare, ndërsa shtoi se deri më tani komuniteti përkatës është takuar vetëm tri herë, ndonëse takimet ishte dashur të mbaheshin çdo javë.
Së fundi, debati publik për përgjegjësinë rreth rrezikut të humbjes së organizimit të Lojërave Mesdhetare është mes kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, dhe kryeministrit Albin Kurti.