
Kryeministri Albin Kurti dhe zëvendësja e tij, Donika Gërvalla dolën në një konferencë për media për të folur për rezultatet e qeverisjes së tyre, të cilat i konsiderojnë të jashtëzakonshme.
Kurti foli për një sërë çështjesh, ndërsa mori merita edhe për liberalizimin e vizave, të cilin e cilësoi si një nga sukseset më të mëdha të politikës së jashtme të vendit.
Ministrja e Punëve të Jashtme foli për forcimin e sundimit të ligjit e demokracinë, ndërsa tha se reputacioni i Kosovës në arenën ndërkombëtare është përmirësuar. Sipas saj, Qeveria me qëndrimet e saj të guximshme, arriti ta fitojë “respektin e botës demokratike”, raporton Gazeta Express.
“Pa ndryshimet cilësore në vend nuk do të kishim arritur as përmirësimin cilësor të Republikës së Kosovës në arenën ndërkombëtare. Është forcimi i shtetit ligjor ai për të cilin jemi votuar dhe të cilin po e zbatojmë hap pas hapi, përkundër kundërshtimeve, rezistencës dhe sfidave”, tha Gërvalla.
“Me rezistencë aktive ballafaqohemi në luftimin e krimit dhe korrupsionit, por edhe në reformimin e sistemit të drejtësisë”, tha ndër tjerash ajo.
Zëvendëskryeministrja përmendi hegjemonizmin serb, ndërsa përmendi qëndrimin “parimor, këmbëngulës, të guximshëm” të Kosovës edhe në raport me ndërkombëtarët.
“Si në BE, ashtu edhe në SHBA dhe në Mbretërinë e Bashkuar janë shtuar zërat që i kritikojnë hapur institucionet e BE-së për qëndrime të gabuara në raport me Serbinë dhe mungesën e ndëshkimit për aktin e agresionit të hapur ndaj Kosovës. Qëndrimi i Kosovës në vazhdimësi ka qenë parimor, këmbëngulës dhe i guximshëm. Kemi notuar edhe kundër rrymës, për t’i quajtur gjërat me emrin e tyre të vërtetë. Me këto qëndrime parimore kemi fituar respektin e botës demokratike”, tha kryediplomatja.
Ajo përmendi edhe kundërshtimin e Kosovës ndaj Ballkanit të Hapur, të cilin e quajti “koncept të Vuçiqit dhe të Moskës”.
“Edhe këtu vendosmëria ka sjellur rezultate. Ballkani i Hapur, pa u hapur mirë, tashmë u mbyll”, tha Gërvalla.
Ajo tha se Kosova është më mirë sesa “shumica e vendeve të Europës” me rezultatet e sivjetshme në ekonomi.
“Kosova është në një rrugë jashtëzakonisht të suksesshme ekonomike dhe rezultatet e arritura janë këtë vit më të mira sesa në shumicën e vendeve në Europë”, tha ajo.