Kontaktoni

info@gazeta10.com

Duhet Lexuar

Gërvalla konfirmon ndalimin e hyrjes së Jeremiqit në Kosovë, thotë se angazhohet për luftë

Gazeta10
05 November 2022 - 18:51

Ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, ka konfirmuar se MPJ ia ka ndaluar hyrjen në Kosovë, ish ministrit të Punëve të Jashtme të Serbisë, Vuk Jeremiç, raporton Gazeta10.

Gërvalla ka thënë se atij i është ndaluar hyrja meqë angazhohet për projekte që nxisin luftë në Kosovë.

Tutje, Gërvalla ka thënë se Kosova nuk do të lejojë urrejtje dhe agresion në vend.

Më tej, diplomatja e Kosovës ka thënë se Kosova është vend sovran dhe përkrahëse e NATOS-së.

Këtu keni statusin e plotë:

“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës nuk ka miratur sot hyrjen në Kosovë të Vuk Jeremiçit, ish-ministër i Punëve të Jashtme të Serbisë. Mbështetja e Jeremiçit në parlamentin serb për atë që e kanë quajtur „riintegrim“ i Kosovës së pavarur në Serbi është i ngjashëm me planin e Putinit për „riintegrimin“ e Ukrainës – pra një recetë për luftë.

Kosova nuk do të tolerojë urrejtjen dhe agresionin ndaj një shteti evropian dhe demokratik. Evropa dhe SHBA-të duhet të vëzhgojnë me vëmendje veprimet e klasës politike në Serbi dhe në rajon. Radikalizimi i ish-drejtuesit të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së është vetëm një paralajmërim më shumë se oreksi i Serbisë dhe Rusisë për territore nuk është ngopur ende.

Rusia dhe Serbia nuk do të ndalen së krijuari gjithnjë e më shumë tensione në Ballkan për aq kohë sa SHBA-të dhe Evropa nuk dërgojnë sinjale të qarta dhe të fuqishme duke kërkuar me këmbëngulje zgjidhjen e vetme të qëndrueshme për krizat dhe paqëndrueshmërinë në Ballkanin Perëndimor, pra duke kërkuar nga Serbia njohjen e realitetit të ri në Ballkan pas luftërave të saj shkatërruese.

Kosova është dhe do të mbetet e pavarur dhe sovrane, përkrahëse e fortë e perspektivës evropiane dhe NATO-s dhe në kufi me Serbinë. Kosova dhe fqinjët e tjerë të Serbisë, të cilët ende nuk janë anëtarësuar në BE, as nuk janë sferë e ndikimit të Serbisë, dhe as nuk do të „riintegrohen“ ndonjëherë në „Botën Serbe“ të Vuçiçit dhe Putinit”, ka shkruar Gërvalla në llogarinë e saj në Facebook. / Gazeta10

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.