Kryediplomatja kosovare, Donika Gërvalla tha se kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, shpesh pa asnjë nevojë, bëhet avokati kryesor i presidentit serb, Aleksander Vuçiq.
Ajo tha se Rama duke u bërë avokat i Vuçiqit i ndihmon atij që të mos bëhet pjesë e politikës së përbashkët të BE-së dhe SHBA-së në raport me luftën e Rusisë në Ukrainë.
“Është e vërtetë që kemi divergjenca sa i përket “Ballkanit të hapur”. Kemi divergjenca edhe në raport me atë se si kryeministri shpesh pa asnjë nevojë, bëhet avokati kryesor i (Aleksander) Vuçiçit në vende dhe mediume të ndryshme ndërkombëtare duke i ndihmuar Vuçiçit të mos bëhet pjesë e politikës së përbashkët të BE-së dhe SHBA-së në raport me luftën e Rusisë në Ukrainë. Por, për të qenë shumë e sinqertë, mendoj që asnjëherë më parë marrëveshjet konkrete që kemi me Shqipërinë, nuk kanë qenë të implementuara me një shpejtësi të tillë si deri tani dhe nuk kanë qenë më tepër në kuptimin e asaj që t’u shërbejnë qytetarëve në të dyja anët e kufirit edhe në Shqipëri edhe në Kosovë”, tha Gërvalla në një intervistë për Zërin e Amerikës.
Ky reagim i Gërvalles erdhi, pasi në media u raportua se në forume ndërkombëtare, Edi Rama e presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, sillen sikur të ishin nga dy vende që nuk e njohin njëra-tjetrën.
Njësoj ndodhi edhe në Nju Jork gjatë 7-8 ditëve të fundit qëndruan të dy. Si pjesëmarrës të punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të OKB’së, Osmanit e Ramës u ra të shihen në takimin që e organizoi Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borell me gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor.
Në pamjet që i publikoi Kryeministri në largim i Malit të Zi Dritan Abazoviq, Rama e Osmani nuk u panë duke i shtrënguar duart.
Megjithkëtë, Osmani në një intervistë për Zërin e Amerikës nuk e la pa u marrë me Ramën
“Mosmarrëveshjet janë të natyrës zyrtare për temat të cilat edhe i përmenda. Natyrisht që raportet ndërpersonale në mes të politikanëve janë komplet të parëndësishme, por çka është e rëndësishme është raportet ndërshtetërore”, tha ajo.