Kosova Po Pret

24
DITË
14
ORË
37
MINUTA
05
SEKONDA
Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Gjashtë vjet nga Marrëveshja e Uashingtonit

Gazeta10
04 September 2026 - 8:56

Sot bëhen gjashtë vjet nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Uashingtonit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Më 4 shtator 2020, kryeministri i atëhershëm i Kosovës, Avdullah Hoti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nënshkruan në Shtëpinë e Bardhë zotimet për normalizim ekonomik. Ceremonia u zhvillua në prani të presidentit të atëhershëm amerikan, Donald Trump.

Në kuadër të zotimeve të Uashingtonit, Kosova dhe Izraeli u pajtuan për njohje të ndërsjellë. Më pas, Kosova vendosi marrëdhënie diplomatike me Izraelin, ndërsa më 14 mars 2021 hapi Ambasadën e saj në Jerusalem.

 

Një tjetër pikë e dokumentit parashihte që Kosova të respektonte një moratorium njëvjeçar për aplikim për anëtarësim në organizata ndërkombëtare.

 

Serbia, ndërkaq, u zotua të pezullonte për një vit fushatën për tërheqjen e njohjeve të pavarësisë së Kosovës.

Marrëveshja përmbante edhe një varg zotimesh në fushën e infrastrukturës, ekonomisë, energjisë, sigurisë, personave të pagjetur dhe lirisë fetare.

 

Më poshtë janë pikat kryesore të dokumenteve të nënshkruara nga pala kosovare dhe ajo serbe:

  • Të dyja palët do të zbatojnë marrëveshjen për autostradën Beograd-Prishtinë, të nënshkruar më 14 shkurt 2020.
  • Të dyja palët do të zbatojnë marrëveshjen për lidhjen hekurudhore Beograd-Prishtinë, të nënshkruar më 14 shkurt 2020. Po ashtu, do t’i përkushtohen një studimi të fizibilitetit për mundësinë e lidhjes së infrastrukturës hekurudhore Beograd-Prishtinë me një port të thellë në Adriatik.
  • Kosova dhe Serbia do të punojnë me Korporatën Ndërkombëtare të SHBA-së për Zhvillim Financiar dhe EXIM për operacionalizimin e projekteve që përfshijnë:
    • Autostradën e Paqes;
    • lidhjen hekurudhore Prishtinë-Merdare;
    • lidhjen hekurudhore Nish-Prishtinë;
    • sigurimin e financimit për mbështetjen e kredive të nevojshme për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme;
    • projekte të tjera dypalëshe;
    • praninë e plotë ndërkombëtare në Beograd të Korporatës Ndërkombëtare të SHBA-së për Zhvillim Financiar.
  • Të dyja palët do të hapin dhe operacionalizojnë objektin në pikëkalimin e përbashkët në Merdare.
  • Kosova dhe Serbia do t’i bashkohen nismës së atëhershme të quajtur “mini-Schengen”, të shpallur nga Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut në tetor 2019, dhe do t’i shfrytëzojnë përfitimet e saj.
  • Të dyja palët do t’i njohin diplomat dhe certifikatat profesionale të njëra-tjetrës.
  • Palët do të punojnë me Departamentin amerikan të Energjisë dhe institucionet e tjera të Qeverisë amerikane për një studim fizibiliteti lidhur me shfrytëzimin e përbashkët të Liqenit të Ujmanit, si burim i furnizimit me ujë dhe energji.
  • Të dyja palët do të diversifikojnë burimet e tyre të energjisë.
  • Palët do të ndalojnë përdorimin e pajisjeve 5G të siguruara nga furnizues të konsideruar të pabesueshëm në rrjetet e tyre të komunikimit. Aty ku pajisje të tilla tashmë ekzistojnë, ato do të hiqen në kohën e duhur.
  • Të dyja palët do të rrisin kontrollin e pasagjerëve ajrorë dhe shkëmbimin e informacioneve. Ato gjithashtu do të angazhohen për përditësime teknologjike për luftimin e aktiviteteve keqdashëse, përmes sistemeve të siguruara nga SHBA-ja, përfshirë PISCES, APIS, ATS-G dhe SRTP.
  • Palët zotohen të mbrojnë dhe promovojnë liritë fetare, përfshirë rifillimin e komunikimit ndërfetar, mbrojtjen e objekteve fetare dhe zbatimin e vendimeve gjyqësore që lidhen me Kishën Ortodokse Serbe. Zotimet përfshijnë edhe çështjen e pronave hebreje të periudhës së Holokaustit.
  • Të dyja palët zotohen të përshpejtojnë përpjekjet për lokalizimin dhe identifikimin e mbetjeve mortore të personave të pagjetur. Ato angazhohen gjithashtu për zgjidhje të qëndrueshme për refugjatët dhe personat e zhvendosur brenda vendit, si dhe për caktimin e pikave të kontaktit në ministritë përkatëse.
  • Palët do të punojnë me 69 vendet që e kriminalizojnë homoseksualitetin, me synimin për dekriminalizimin e tij.
  • Të dyja palët zotohen ta shpallin Hezbollahun, në tërësi, organizatë terroriste dhe të ndërmarrin masa për kufizimin e operacioneve dhe aktiviteteve financiare të tij brenda juridiksioneve të tyre.
  • Kosova u pajtua të zbatonte një moratorium njëvjeçar, gjatë të cilit nuk do të kërkonte anëtarësim të ri në organizata ndërkombëtare.
  • Serbia u pajtua të zbatonte një moratorium njëvjeçar për fushatën e saj kundër njohjes së Kosovës dhe të përmbahej nga kërkesat, zyrtare apo jozyrtare, drejtuar shteteve ose organizatave ndërkombëtare për të mos e njohur Kosovën si shtet të pavarur.
  • Moratoriumet hynë në fuqi menjëherë pas nënshkrimit.
  • Kosova dhe Izraeli u pajtuan për njohje të ndërsjellë.

Më të lexuarat
Nga Rubrika
Lajme
04 September 2026

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.