
Raporti: Viola Korça
E për të parandaluar rastet e dhunës në familje dhe në baza gjinore, ministrja e Drejtësisë dhe ajo e Arsimit, kanë bashkëbiseduar me nxënës të shkollave fillore. Në ditën kur është vrarë një grua në Prishtinë, edhe ka nisur fushata “16 ditë të aktivizimit kundër dhunës në bazë gjinore”.
Në Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës Kundër Grave, Kosova sërish është tronditur nga lajmet për vrasjen e 63-vjeçares në Prishtinë, nga bashkëshorti i saj.
Sipas statistikave, nga janari e deri sot janë raportuar rreth 2 mijë e 500 raste të dhunës në familje, shumica prej tyre raste të dhunës së burrave ndaj grave.
E për të rritur vetëdijesimin për rastet e dhunës në familje dhe në baza gjinore, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu dhe ajo e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka bashkëbiseduar me nxënësit e shkollës fillore “Faik Konica” në Prishtinë.
Ministrja Nagavci, ka thënë se gjatë këtyre ditëve do të jenë nëpër shumë shkolla me qëllim të ngritjes së vetëdijes për raportim të dhunës në baza gjinore dhe edukim për parandalimin e çfarëdolloj dhune.
Ndërsa, ministrja Haxhiu ka thënë se është shqetësuese numri i madh i rasteve të dhunës së burrave ndaj grave.
Ndërsa, nxënësit e kësaj shkolle kishin bërë një ekspozitë të vogël dhe një shfaqje të shkurt me mesazhe kundër dhunës.
Nga e premtja nën moton “As edhe një më shumë”, ka nisur fushata “16 ditë të aktivizimit kundër dhunës në bazë gjinore”. / Kanal10