
Gjendjes alarmante në kryeqytet si pasojë e mbeturinave të shumta pritet që së shpejti t’i bëhet zgjidhje.
Kështu deklaroi drejtori për Shërbime Publike në komunën e Prishtinës, Bekim Brestovci.
Ai në linjë direkte për emisionin “Adresa e Ankesave” në Kanal10 tha se tashmë është angazhuar kompania e cila shfrytëzohet në rastet emergjente.
Mes tjerash, Brestovci premtoi se që nga fillimi i javës tjetër do jetë një gjendje tjetër.
“Ne kemi filluar parmbrëmë me një mundësi qe e kemi pasur alternative, një kompani të cilën e kemi angazhuar vetëm për një fazë emergjente e cila nënkupton edhe ditën e sotme. Ne po mendojmë që më së voni deri nesër ta kemi zgjidhjen e dytë alternative, inkuadrimin edhe të një operatori ekonomik, i cili në masë të madhe do e bjerë situatën në pikën zero deri në fund të këtij vikendi e pastaj nga e hëna e tutje të shohim nëse ndërmarrja “Pastrimi” e merr vetën dhe është në gjendje që se paku një zonë ta mbaj si sektor për shërbim të ofrimeve. Ne do të jemi të gatshëm të bashkëpunojmë tutje me ndërmarrjen “Pastrimi”. Do e marrim situatën në dorë, dhe nga e hëna i siguroj qytetarët se do të kemi një gjendje krejt ndryshe për të vazhduar tutje me qëllimin, Prishtina si kryeqyteti më i pastër në rajon“, tha ai.