Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Gjini takon senatorët amerikanë: Integrimi i Kosovës në NATO, garanci për stabilitetin

Gazeta10
13 October 2026 - 12:42

Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, ka zhvilluar një takim me senatorët amerikanë Jeanne Shaheen dhe Dick Durbin në Ambasadën e ShBA-së, ku ka diskutuar për zhvillimet politike në Kosovë, sfidat rajonale dhe rëndësinë e integrimit të vendit në NATO.

Gjini ka bërë të ditur se gjatë takimit ka theksuar rëndësinë e mbështetjes së Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Kosovën, veçanërisht në një periudhë kur vendi po përballet me procese sfiduese politike.

Sipas tij, Serbia përbën burimin kryesor të jostabilitetit në rajon, për shkak të, siç është shprehur, synimeve për zgjerim dhe ndryshim të kufijve.

Në këtë kontekst, Gjini ka vlerësuar se anëtarësimi i Kosovës në NATO, me mbështetjen e ShBA-së, është thelbësor për garantimin e sigurisë, zhvillimit të qëndrueshëm dhe konsolidimit të demokracisë.

Ai ka theksuar gjithashtu se orientimi gjeopolitik dhe bashkëpunimi i ngushtë me Shtetet e Bashkuara janë të rëndësishëm për krijimin e një mjedisi të sigurt për investime, forcimin e institucioneve të pavarura dhe ruajtjen e stabilitetit afatgjatë.

Gjini ka nënvizuar se përparimi i Kosovës kërkon bashkëpunim të vazhdueshëm dhe besim të ndërsjellë me Uashingtonin zyrtar.

“Kosova është e bekuar me miqtë e saj!”.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.