
Kyreministri i Kosovës, Albin Kurti, së bashku me ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Muratin, kanë vizituar para pak minutash Doganën e Kosovës, raporton Gazeta10.
Ata aty janë pritur nga drejtori i Përgjithshëm i Doganës së Kosovës, Agron Llugaliu.
Drejtori i Përgjithshëm i Doganës së Kosovës, Agron Llugaliu, në fjalën e tij, ka falënderuar Muratin dhe Kurtin për vizitën si dhe për shprehjen e gadishmërisë për mbështetje.
‘Ne e falënderojmë shumë ministrin dhe kryeministrin për përkrahjen që na garantuan në adresimin e kërkesave tona operative, në adresimin e kërkesave tonë për rritjen e mëtutjeshmë të kapaciteteve”, ka thënë drejtori i doganës.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se bashkë me ministrin Muratin kishin zhvilluar një vizitë përmbajtësore.
“Jam shumë i kënaqur që ne patëm një vizitë përmbajtësore në Doganën e Kosovës bashkë me ministrin e financave z.Muratin. Kjo vizitë e jona në njërën anë është falënderim e mirënjohje drejtorit të doganave, udhëheqjes së doganave të Kosovës por edhe për secilin prej 582 zyrtarëve që punojnë në këtë institucion shumë të rëndësishmë të republikës sonë”, ka thënë Kurti.
Tutje, Kurti ka thënë se Dogana e Kosovës së bashku me Policinë e Kosovës janë dy institucionet kryesore të sigurisë publike.
Kurti ka thënë se janë rritur të hyrat në doganën e Kosovës krahasuar me vitin e kaluar për periudhën e njejtë.
“Policia e Kosovës dhe Dogana e Kosovës janë thelbi i sigurisë publike të shtetit tonë. Kjo vizitë e jona nuk ka të bëjë vetëm me të tashmen dhe të kaluarën por edhe shpreh gadishmëri për bashkëpunim dhe mbështetje të shtuar në vijim. Janë rritur të hyrat për këtë vit krahasuar me vitin e kaluar për përiudhën e njejtë”, ka thënë ai.
Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka thënë ka ndërmarrur luftë kundër kontrabandës dhe për këtë e ka edhe përkrahjen e qytetarëve.
“Lufta kundër kontrabandës është e kundërta e asaj që po pretendohet. Edhe vet popullata lokale është në njfarë forme e çliruar që po luftojmë grupet kriminale dhe ato të kontrabandës”, ka thënë ai. / Gazeta10