
Prokurori Avni Namani ka kërkuar që ministri në detyrë, Xhelal Sveçla, të shpallet fajtor dhe të dënohet për përdorimin e armës apo mjetit të rrezikshëm, në rastin që lidhet me hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës në vitin 2018.
Në fjalën përfundimtare, prokurori Namani tha se, bazuar në raportet e ekspertizave, bombola e gazit lotsjellës konsiderohet armë. Ai bëri të ditur se Prokuroria ka hequr dorë nga ndjekja penale ndaj Sveçlës për veprën “Pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare”, për shkak të parashkrimit.
Sipas Prokurorisë, Sveçla, gjatë seancës plenare të 21 marsit 2018, kishte aktivizuar dhe hedhur bombola të gazit lotsjellës brenda sallës së Kuvendit, duke shkaktuar përhapjen e gazit irritues dhe ndërprerjen e seancës.
“Propozoj gjykatës që të pandehurin ta gjejë fajtor dhe ta dënojë sipas ligjit”, deklaroi prokurori Namani.
Sveçla akuzohet për veprën penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”, nga neni 375, paragrafi 1, i Kodit Penal, për të cilën parashihet dënim me burgim prej një deri në tetë vjet.
Në këtë rast akuzohen edhe deputetët Fitore Pacolli-Dalipi, Drita Millaku dhe Salih Zyba, ndërsa procedura ndaj Sveçlës është veçuar.