
Vetëm pak ditë para fillimit të vitit të ri shkollor, deputetja e Aleancës, Teuta Haxhiu, ka kritikuar Qeverinë në detyrë për vonesat në procesin e subvencionimit të teksteve shkollore.
Në një konferencë për media, Haxhiu e akuzoi Ministrinë e Arsimit për neglizhencë dhe papërgjegjësi, duke thënë se procedurat për sigurimin e teksteve është dashur të përfundonin shumë më herët.
Ajo kritikoi veçanërisht ish-ministrin e Arsimit, Hajrulla Çeku, duke thënë se ministria nuk i ka përmbushur obligimet që burojnë nga Ligji për Arsimin Parauniversitar dhe Udhëzimi Administrativ 13/2016.
Haxhiu tha se miratimi i katalogut më 27 gusht është bërë me vonesë dhe ka krijuar presion te prindërit, të cilët tashmë duhet të sigurojnë materialet shkollore për fëmijët e tyre.
Sipas saj, Ministria e Arsimit duhej që gjatë muajit qershor të themelonte komisionin për negocimin e çmimeve me shtëpitë botuese, ndërsa drejtoritë komunale kishin afat deri më 15 korrik për t’i dorëzuar raportet përfundimtare.
“Po flasim për 15 korrikun. Llogaritni prej atëherë deri më 27 gusht sa ditë kanë pasur kohë për t’u përgatitur. Për mospërgatitje nuk nënkupton asgjë tjetër, pos papërgjegjësi totale”, tha Haxhiu.
Deputetja e AAK-së ngriti shqetësime edhe për shumën e subvencioneve, duke prezantuar disa fatura që, sipas saj, tregojnë dallime mes kostos së teksteve dhe shumës së mbuluar nga subvencionimi.