Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

“Thikë pas shpine për Kosovën” – Qorolli reagon ashpër pas njoftimit për konsullatën serbe në Shkodër

Gazeta10
30 July 2026 - 14:00

Deputeti i zgjedhur i Lëvizjes Vetëvendosje, Vigan Qorolli, ka reaguar ndaj deklaratës së ministrit të Jashtëm të Serbisë, Marko Gjuriq, se Serbia dhe Shqipëria kanë arritur një marrëveshje në parim për hapjen e përfaqësive konsullore në Shkodër dhe Bujanoc.

Gjuriq tha se është takuar me homologun e tij shqiptar, Ferit Hoxha, dhe se nga bisedimet është arritur një dakordim fillestar për hapjen e zyrave konsullore në dy qytetet.

“Jam i kënaqur që pata bisedime shumë të mira me ministrin e ri të Jashtëm të Shqipërisë, Ferit Hoxha, me të cilin arritëm një marrëveshje në parim për hapjen e zyrave konsullore në Shkodër dhe Bujanoc”, është shprehur Gjuriq.

Pas kësaj deklarate, Qorolli e cilësoi një hap të tillë si të papranueshëm, nëse konfirmohet nga autoritetet shqiptare.

“Bujanoci, së bashku me Preshevën dhe Medvegjën, përbën rajonin e njohur si Lugina e Preshevës, ku jeton komuniteti më i madh i shqiptarëve etnikë në Serbi, jashtë Kosovës. Nëse është e vërtetë se qeveria e Edi Ramës po e çel derën për një konsullatë serbe në Shkodër, atëherë ky veprim nuk mund të kamuflohet mbrapa retorikës së një ‘akti diplomatik’. Kemi të bëjmë me thikë pas shpine për Kosovën”, deklaroi ai.

Qorolli vlerësoi simbolikën historike të Shkodrës, duke theksuar se qyteti ka dhënë disa prej figurave më të rëndësishme të historisë dhe kulturës shqiptare, si Luigj Gurakuqi, Gjergj Fishta, Ernest Koliqi, Migjeni dhe Pashko Vasa.

Sipas tij, diplomacia nuk mund të ndërtohet duke anashkaluar të kaluarën dhe plagët e luftës në Kosovë.

“Serbia nuk ka nevojë të rehabilitohet në Shkodër. Nëse kërkon rehabilitim, le ta nisë me pranimin e përgjegjësisë për krimet në Kosovë, me kërkimfalje dhe me drejtësi për viktimat. Vetëm atëherë diplomacia fiton kuptim. Përndryshe, çdo hap i tillë drejt ligjësimit diplomatik të Serbisë në zemër të Shkodrës mbetet një vrasje ndaj kujtesës sonë kombëtare”, u shpreh ai.

Deri më tani, Qeveria e Shqipërisë nuk ka dalë me një deklaratë zyrtare për të konfirmuar ose mohuar pretendimin e ministrit serb lidhur me marrëveshjen në parim për hapjen e konsullatave në Shkodër dhe Bujanoc.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.