
Gjykata Kushtetuese ka marrë vendimin për lëndën e PDK-së, lidhur me konstituimin e Kuvendit dhe krijimin e Qeverisë, ku sipas vendimit Kuvendi është vonuar dhe kanë ecur afatet kushtetuese, derisa afati i fundit për zgjedhjen e Presidentit të ri është 6 tetori.
Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka konstatuar se Kuvendi i Kosovës është konstituuar pas afatit 30 ditorë. Ky kalim i afatit, Kushtetuesja thotë se ka për rrjedhojë nisjen e rrjedhjes së afateve për zgjedhjen e Presidentit.
Në vendim, thuhet se Kuvendi duhet sa më parë të zgjedh nënkryetarin nga radhët e PDK-së, derisa zgjedhjen e Qeverisë e ka konsideruar të rregullt dhe jo në kundërshtim me Kushtetutën.
Në fund, Kushtetuesja thotë se afati 60 ditor për zgjedhjen e Presidentit ka rrjedhur që nga data 8 gusht kur është dashur të konstituohet Kuvendi dhe se ky afat për zgjedhjen e presidentit përfundon më 6 tetor.
Gjithçka lidhur me vendimin e Kushtetueses mund ta lexoni me poshtë:
TË KONSTATOJË që kalimi i afatit tridhjetë (30) ditor për konstituimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës, të përcaktuar në paragrafin 1 të nenit 66 [Zgjedhja dhe Mandati] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, ka për pasojë fillimin e rrjedhjes së afateve kushtetuese për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës, kur posti i Presidentit është vakant dhe për zgjedhjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës sipas neneve 86 [Zgjedhja e Presidentit], 95 [Zgjedhja e Qeverisë] dhe nënparagrafëve 1 dhe 3, paragrafit 1 të nenit 82 [Shpërndarja e Kuvendit] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës;
TË KONSTATOJË që deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës duhet që sa më parë të zgjedhin Nënkryetarin e Kuvendit të Republikës së Kosovës nga radhët e grupit të dytë më të madh parlamentar, në pajtim me paragrafin 3 të nenit 67 [Zgjedhja e Kryetarit dhe Nënkryetarëve] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës;
TË KONSTATOJË që Vendimi [Nr. 11-V-007] i 13 shtatorit 2026 i Kuvendit të Republikës së Kosovës për zgjedhjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës nuk është në kundërshtim me nenin 95 [Zgjedhja e Qeverisë] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës;
TË KONSTATOJË që afati gjashtëdhjetë (60) ditor për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës, sipas nënparagrafit 3, paragrafit 1 të nenit 82 [Shpërndarja e Kuvendit] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës ka filluar më 8 gusht 2026 dhe përfundon më 6 tetor 2026;
Vendimi i plotë është në linkun në vijim: