
Një gjykatës federal ka urdhëruar Shtëpinë e Bardhë të rikthejë aksesin për gazetarët e CNN, MS NOW dhe Politico, pasi kredencialet e tyre për të raportuar nga Shtëpia e Bardhë u ishin hequr.
Gjykatësi Timothy Kelly vendosi se ndalimi shkelte parimet bazë të procesit të rregullt ligjor, pasi mediat nuk ishin njoftuar paraprakisht dhe nuk u ishte dhënë mundësia të kundërshtonin vendimin.
Trump e kishte njoftuar ndalimin përmes një postimi në rrjete sociale, duke i akuzuar mediat për “lajme të rreme” dhe duke paralajmëruar se masa të ngjashme mund të merreshin edhe ndaj organizatave të tjera mediatike.
Në gjykatë, Departamenti i Drejtësisë argumentoi se ndalimi lidhej me çështje të sigurisë kombëtare, duke përmendur edhe një raportim për planet për ndërtimin e një bunkeri nën Krahun Lindor të Shtëpisë së Bardhë.
Avokatët e mediave kundërshtuan, duke thënë se siguria kombëtare nuk ishte përmendur kur ndalimi u shpall fillimisht.
Gjykatësi Kelly vuri në dukje se artikulli për Krahun Lindor ishte publikuar disa muaj përpara rinovimit të kredencialeve të gazetarit të CNN, duke ngritur pikëpyetje mbi kronologjinë e argumentit të qeverisë.
Ndryshe, vendimi erdhi pasi rreth 50 organizata mediatike, përfshirë rrjetet kryesore televizive amerikane, shprehën mbështetje për mediat e prekura.
Disa prej tyre ndërprenë mbulimin e aktiviteteve të Shtëpisë së Bardhë në shenjë solidariteti.