
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përkujtuar rreshterin e Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, në trevjetorin e rënies së tij në krye të detyrës gjatë sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit.
Përmes një postimi në Facebook, Kurti ka thënë se Bunjaku ra më 24 shtator 2023, duke u bërë hero e Kosovës derisa humbi jetën në mbrojtje të sovranitetit dhe tërësisë territoriale të vendit.
“24 shtatorit 2023, në fshatin Banjskë të Zveçanit ra në krye të detyrës për sundim të ligjit, në mbrojtje të sovranitetit shtetëror dhe tërësisë territoriale të Republikës sonë, rreshteri i Policisë, tash hero i Kosovës, Afrim Bunjaku”, ka shkruar Kurti.
Ai ka akuzuar Beogradin për organizimin, dirigjimin dhe financimin e grupit të armatosur që kreu sulmin në Banjskë, duke thënë se atij grupi i printe Milan Radoiçiq.
“Grupi terrorist paraushtarak i organizuar, dirigjuar dhe financuar nga Beogradi, së cilit i printe kryekrimineli Millan Radoiçiq, dështoi në sulmin tinzar që kishte për qëllim konflikt të armatosur e gjakderdhje në manastir ortodoks të shekullit XIV, dhe mandej aneksimin e veriut të Kosovës”, ka deklaruar Kurti.
Ai e ka përmbyllur postimin me një homazh për rreshterin e Policisë së Kosovës.
“Lavdi jetës dhe veprës së rreshterit, heroit Afrim Bunjakut!”, ka shkruar Kurti.
Postimi i plotë i Kurtit në Facebook:
Në orët e para të mëngjesit të 24 shtatorit 2023, në fshatin Banjskë të Zveçanit ra në krye të detyrës për sundim të ligjit, në mbrotje të sovranitetit shtetëror dhe tërësisë territoriale të Republikës sonë, rreshteri i Policisë, tash hero i Kosovës, Afrim Bunjaku.
Grupi terrorist paraushtarak i organizuar, dirigjuar dhe financuar nga Beogradi, së cilit i printe kryekrimineli Millan Radoiçiq, dështoi në sulmin tinzar që kishte për qëllim konflikt të armatosur e gjakderdhje në manastir ortodoks të shekullit XIV, dhe mandej aneksimin e veriut të Kosovës. Kjo falë vendosmërisë dhe profesionalizmit të zyrtarëve tanë në rendit e të inteligjencës, politikë e publikë, në mbrojtje të Republikës, të paqes, të drejtave dhe sigurisë për të gjithë.
Në Banjskë, në vendin e sulmit aty, rruga sot mban emrin e heroit Afrim Bunjaku. Ndërkaq, tre kriminelë janë vrarë gjatë aksionit atë ditë, tre janë në burg që prej asaj dite, e të gjithë të tjerët do të përgjigjen para drejtësisë në vendin tonë herdokur. Shteti ynë asnjëherë nuk do të heq dorë në kërkim të tyre derisa të gjithë të kenë marrë gjykimin e drejtësisë dhe dënimin e merituar.
Është e vërtetë, ata na kanë bërë dëm e shkaktuar vuajtje, por ne kemi fituar. Shteti ynë i pavarur, Republika e Kosovës, ka ngadhnjyer mbi agresionin dhe krimin, heroi mbi terroristët.
Lavdi jetës dhe veprës së rreshterit, heroit Afrim Bunjakut!
Ndryshe, me vizita, homazhe dhe vendosjen e gurthemelit të një obelisku në Banjskë, Policia e Kosovës dhe Ministria e Punëve të Brendshme do të shënojnë sot 3-vjetorin e rënies në detyrë të rreshterit Afrim Bunjaku.
Aktivitetet do të nisin në orën 10:00 me vizitë te familja Bunjaku në Samadrexhë të Vushtrrisë. Në orën 10:40 do të bëhen homazhe te varri i tij, po në Samadrexhë.