
Gonzalo Higuain zhvilloi mëngjesin e sotëm ndeshjen e fundit si futbollist profesionist. Inter Miami u mposht 3-0 nga New York City në sfidën e raundit të 1/8-ve në MLS, ndërkohë që “El Pipita” nuk i mbajti dot lotët dhe u shfaq shumë i emocionuar në fund të ndeshjes.
“Ëndrra mbaroi, tani fillon një jetë tjetër. 17 vite e gjysmë karrierë, iku gjysma e jetës. Më kaluan në mendje gjithë imazhet nga e gjithë karriera ime. Po largohem shumë i lumtur, sepse kam dhënë gjithçka nga vetja. Kjo është gjëja më e rëndësishme”, deklaroi sulmuesi i njohur argjentinas pas përfundimit të duelit të fundit në karrierë.
34-vjeçari shënoi 366 gola dhe dhuroi 127 asiste në 785 ndeshje, teksa fitoi trofe me Realin, Napolin, Juventusin dhe Chelsea – 14 në total – ndërkohë që me kombëtaren e Argjentinës u shpall nënkampion bote në Brazil 2014 dhe dy herë nënkampion në Amerikën Latine.