Raporti: Arbenita Ilazi / Kanal10
Një grua në Prishtinë, është duke pretenduar tash e sa kohë se është duke u kërcënuar nga ish-bashkëshorti. Madje, ajo ka thënë se ai po dëshiron që t’ia marr edhe djalin, për çka, sipas saj, është detyruar që t’ia ndërpresë edhe shkollimin. Këto pretendime i ka hedhur poshtë ish-burri i saj, i cili sipas Policisë së Kosovës ishte arrestuar disa herë, por ishte liruar në procedurë të rregullt. Nga Gjykata kanë thënë se për gruan kanë lëshuar urdhër mbrojtje.
Ka tre javë që A.G, 13 vjeçar, nuk është duke shkuar në shkollë.
Nëna e tij, ka thënë se është detyruar që djalit të saj t’ia ndalojë shkollën për shkak të kërcënimeve nga ish-bashkëshorti.
Gruaja nga Shqipëria, e cila është martuar në Kosovë, ka thënë se pas ndarjes nga bashkëshorti, ky i fundit vazhdimisht e ka kërcënuar se do t’ia merr djalin.
Ajo ka thënë se është detyruar të kërkojë urdhër-mbrojtje nga gjykata, për shkak se ish-burri çdo ditë po e kërcënon në mënyra të ndryshme.
Avokati i saj, Arbër Shala, ka thënë se lënda tashmë është në gjykatë dhe se është hera e pestë që kjo e fundit po kërkon urdhër-mbrojtje.
Por, të gjitha akuzat i ka hedhur poshtë ish-bashkëshorti, i cili ka thënë se ka vite që nuk i është afruar asnjëherë shtëpisë së ish-gruas.
Ai ka thënë se pretendimet e saj për kërcënime janë të pavërteta.
Lidhur me rastin, Kanal10 ka dërguar pyetje në Gjykatën Themelore në Prishtinës, rreth kërkesës së palës së dëmtuar për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes.
“Referuar kërkesës tuaj, ju njoftojmë se Gjykata Themelore në Prishtinë duke vepruar sipas kërkesës për Urdhër Mbrojtje, ka caktuar, mbajtur dhe ka lëshuar vendimin me të cilin është aprovuar kërkesa për Urdhër Mbrojtje, e parashtruar nga pala e mbrojtur B.S. Vendimi është pranuar nga palët ndërgjygjëse dhe nga Policia e Kosovës në të njëjtën datë kur është marr vendimi. Ju bëjmë me dije se Urdhrat Mbrojtës janë seanca të mbyllura për publikun, andaj nuk mund të komentojmë më shumë lidhur me këtë çështje”, njoftoi Gjykata Themelore në Prishtinë.
Ndërkaq, në një përgjigje për Kanal10, nga Zyra për Informim e Policisë së Kosovës, kanë thëne se i dyshuari është arrestuar disa herë pasi ka kanosur bashkëshorten dhe me urdhër të prokurorit është lëshuar në procedurë të rregullt.
“Ankuesja femër kosovare ka raportuar se është shqetësuar dhe kanosur nga ish-bashkëshorti, i dyshuari mashkull kosovar. I dyshuari është shoqëruar në stacion policor. Në lidhje me rastin është konsultuar prokurori i shtetit, i cili ka rekomanduar që rasti të procedohet në procedurë të rregullt”, ka njoftuar Policia e Kosovës.
Nga Prokuroria Themelore në Prishtinë nuk kanë dhënë sqarime për lirimin e të dyshuarit në procedurë të rregullt, derisa kanë njoftuar se ndaj tij është ngritur aktakuzë për mospërfillje të urdhrit mbrojtës.
“Lidhur me një rast kundër A.G., për shkak të shkeljes së urdhrit mbrojtës, ju njoftojmë se më 05.04.2022, prokurori i çështjes ka pranuar kallëzimin penal kundër A.G., ndërsa pas zhvillimit të hetimeve, më 29.04.2022 ka ngritur Aktakuzë ndaj të pandehurit, në drejtim të veprës penale “Mospërfillja e gjykatës”, nga neni 393 paragrafi 1 të KPRK-së.”, tha Prokuroria Themelore në Prishtinë.
Pas ndarjes nga bashkëshorti, gruaja thotë se ende jeton në shtëpinë e tij, por e cila është vetëm njëdhomëshe dhe nuk ka asnjë të ardhur, derisa sipas saj, ndodhet në situatë të vështirë financiare për të jetuar bashkë me djalin.