Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Gruda: Juridikisht gabim krahasimi i situatës së sotme në Kuvend me vitin 2014, atëherë s’kishte aktgjykim për afatin e konstituimit

Gazeta10
14 August 2026 - 18:09

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Përparim Gruda, tha se situata aktuale në Kuvend nuk mund të krahasohet me bllokadën e vitit 2014, për shkak të dallimeve në interpretimin juridik të afatit për konstituimin e institucionit më të lartë ligjvënës të vendit.

Gruda tha se në vitin 2014 nuk ekzistonte aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese, i cili ka përcaktuar qartë se afati 30-ditor nuk vlen vetëm për fillimin e seancës konstituive, por për përfundimin e konstituimit të Kuvendit.

“Për të gjithë ata që po e krahasojnë bllokadën e vitit 2014 me situatën e sotme në Kuvendin e Kosovës, duhet sqaruar një dallim thelbësor: Rasti i vitit 2014 dhe sjellja e atëhershme e kryesueses së seancës konstituive nuk mund të barazohen me situatën e sotme dhe me veprimet e Avni Deharit, për një arsye shumë të thjeshtë: në vitin 2014 nuk ekzistonte Aktgjykimi KO124/25 i Gjykatës Kushtetuese”, shkroi ai.

Ai tha se aktgjykimi i nxjerrë më 26 qershor 2025 përcakton se brenda afatit 30-ditor duhet të përfundojë konstituimi i Kuvendit, përfshirë zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve.

“Ky aktgjykim është nxjerrë më 26 qershor 2025 dhe ka përcaktuar qartë se afati 30-ditor nuk është afat vetëm për ta filluar seancën konstituive, por afat brenda të cilit Kuvendi duhet ta përfundojë konstituimin e tij, përfshirë zgjedhjen e Kryetarit dhe nënkryetarëve. Madje, ky interpretim nuk ekzistonte as gjatë fazës së parë të bllokadës së vitit 2025, deri në nxjerrjen e Aktgjykimit KO124/25. Pas 26 qershorit 2025, situata juridike ndryshoi, Gjykata Kushtetuese e dha interpretimin përfundimtar dhe detyrues të kësaj çështje”, shkroi ai.

“Prandaj, krahasimi me vitin 2014 është juridikisht i gabuar, sepse nuk mund ta gjykosh sjelljen e vitit 2014 sipas një aktgjykimi që u nxor njëmbëdhjetë vjet më vonë”, shtoi ai.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.