
Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), z. Ahmet Ismaili, priti në takim Ambasadorin e ri të Bashkimit Evropian në Kosovë, Sh.T. z. Dirk Schübel.
Guvernatori Ismaili e uroi Ambasadorin Schübel për marrjen e detyrës së re dhe shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Bashkimit Evropian në zhvillimin ekonomik dhe financiar të Kosovës, avancimin e reformave institucionale dhe përafrimin me standardet evropiane.
Gjatë takimit, Guvernatori Ismaili prezantoi zhvillimet kryesore në sektorin financiar, duke theksuar stabilitetin, qëndrueshmërinë dhe rolin e tij në mbështetjen e zhvillimit ekonomik. Ai informoi Ambasadorin për progresin në zbatimin e Planit Strategjik të BQK-së, avancimin e kornizës ligjore dhe rregullative, forcimin e mbikëqyrjes financiare dhe zhvillimin e kapaciteteve institucionale, në përputhje me standardet dhe praktikat më të mira evropiane.
Vëmendje e veçantë iu kushtua procesit të integrimit të Kosovës në Zonën Unike të Pagesave në Euro (SEPA) dhe modernizimit të infrastrukturës së pagesave. Guvernatori Ismaili dhe Zëvendësguvernatori Dardan Fusha prezantuan progresin në përmbushjen e kërkesave ligjore dhe teknike për aplikim në SEPA, përfshirë miratimin e ndryshimeve ligjore në fushën e parandalimit të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, si dhe masat për luftimin e falsifikimit të parasë dhe mbrojtjen e integritetit të euros. Në këtë drejtim, u theksua se BQK-ja është në fazën përfundimtare të përgatitjeve për kompletimin e hapave për aplikim pranë Këshillit Evropian të Pagesave (EPC), në koordinim me institucionet përkatëse të Bashkimit Evropian.
Në këtë kontekst, u diskutua edhe zhvillimi i sistemit të pagesave të shpejta përmes projektit TIPS Clone, si pjesë e reformave për modernizimin e shërbimeve të pagesave dhe përafrimin me infrastrukturën evropiane.
Guvernatori Ismaili theksoi se integrimi në SEPA dhe avancimi drejt sistemeve evropiane të pagesave përbëjnë prioritete strategjike të BQK-së dhe hapa të rëndësishëm drejt integrimit financiar dhe ekonomik të Kosovës me Bashkimin Evropian, duke synuar pagesa ndërkufitare më të shpejta, më të sigurta dhe me kosto më të ulët për qytetarët dhe bizneset.
Gjatë takimit u diskutuan gjithashtu forcimi i integritetit të sistemit financiar, siguria kibernetike, mbrojtja e konsumatorëve dhe zgjerimi i qasjes në shërbime financiare. Në këtë drejtim, Guvernatori Ismaili shprehu vlerësimin dhe mirënjohjen për mbështetjen dhe bashkëpunimin e institucioneve të BE-së, Bankës Qendrore Evropiane dhe bankave qendrore të Eurosistemit në avancimin e reformave dhe forcimin e kapaciteteve të BQK-së.
Nga ana e tij, Ambasadori Schübel riafirmoi përkushtimin e Bashkimit Evropian për të mbështetur Kosovën në avancimin e reformave dhe procesin e integrimit evropian, përfshirë procesin e anëtarësimit në SEPA, përafrimin e kornizës ligjore me standardet evropiane dhe zhvillimin e mëtejmë të sektorit financiar.
Në përfundim, palët shprehën gatishmërinë për të thelluar bashkëpunimin institucional dhe koordinimin në realizimin e prioriteteve të përbashkëta, me fokus në stabilitetin financiar, modernizimin e sistemeve të pagesave dhe integrimin financiar të Kosovës në Bashkimin Evropian.