Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Hakerat iranianë publikojnë të dhënat e punonjësve të Policisë së Shtetit

Gazeta10
09 October 2022 - 22:49

“Homeland Justice” ka vijuar me publikimin e listave të tjera, ku këtë herë mesa duket në shënjestër të hakerëve iranianë janë punonjës të Policisë së Shtetit.

Burime për Euronews Albania bëjnë me dije se janë publikuar katër lista me nga 300 emra, fotografi dhe të dhëna personale që i përkasin personave që kanë qenë ose janë pjesë e Policisë së Shtetit.

“Mbase këta këtu janë objektivat e radhës”, me këtë titull janë publikuar sot të dhënat e “Homeland Justice” në platformën e komunikimit Telegram.

Vetëm gjashtë ditë më parë 1.7 giga byte material sensitiv u publikua nga hakerët e ashtuquajtur “Homeland Justice” në platformën e komunikimit Telegram.

“Albanian Suspects” apo “Shqiptarët e dyshuar” titulloheshin listat e publikuara nga hakerët iranianë.

Bëhej fjalë për 49 lista të gjata ku pasqyrohet identiteti i personave, numri ID, mosha, vendlindja dhe foto e tyre e sistemit TIMS. Megjithatë nuk jepeshin detaje të tjera se për çfarë janë të dyshuar personat, por dyshohet se materialet i përkasin sistemit MEMEX që administrohet nga Policia e Shtetit.

Policia e Shtetit, në një reagim, mohoi që të dhënat të jenë nga sistemi MEMEX duke insistuar që nuk janë prekur apo dëmtuar të dhëna sensitive që administrohen dhe kanë të bëjnë me punën policore./Gazeta10

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.