
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ilir Kërçeli i ftuar në emisionin “Gazeta”, ka shprehur pritjen që takimi ndërmjet kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, dhe kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, të rezultojë me një marrëveshje ndërmjet dy partive.
Ai tha se pret që palët të arrijnë një dakordim fillimisht për konstituimin e legjislaturës së 11-të të Kuvendit të Kosovës, e më pas edhe për formimin e Qeverisë dhe zgjedhjen e presidentit ose presidentes.
“Pres shumë që nga ky takim të dalë një marrëveshje e dakorduar mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe LDK-së. Pres që të arrihet një dakordim për formimin e institucioneve, së pari për konstituimin e legjislaturës së 11-të, e pastaj edhe për formimin e Qeverisë dhe zgjedhjen e presidentit apo presidentes”, deklaroi ai.
Duke komentuar pjesëmarrjen e ish-presidentes Vjosa Osmani në takimet mes palëve, deputeti tha se, sipas informacioneve që ka, prania e saj ka qenë vazhdimësi e takimeve të mëhershme.
“Me sa jam informuar, formati i takimit ka qenë një plus. Edhe në takimet e para ka qenë Osmani dhe besoj se, si vazhdimësi e tyre, ka ndodhur edhe kjo. Uroj që nga ky format i takimit të dalë zgjidhja sa më e mirë për institucionet e vendit”, u shpreh ai.