
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, gjatë ditës ka reaguar lidhur me efektin juridik të ndryshimit të ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës.
Abdixhiku ka thënë se ende pa u bërë 48 orë nga miratimi i ndryshimit të ligjit, është konstatuar se ai nuk prodhon efekt juridik. Ai gjithashtu ka deklaruar se LDK-ja është shpallur kundërshtare e UÇK-së pa u dëgjuar mirë qëndrimi i saj.
Lidhur me këtë reagim ka folur deputeti i Vetëvendosjes, Mefail Bajqinovci, në emisionin “Politiko”.
Bajqinovci ka kërkuar nga Abdixhiku të sqarojë qëndrimet e tij pas zhvillimeve në Kuvend.
“Z. Abdixhiku duhet me na tregu çka ndodhi atë ditë, kur mendonte që vendi po shkon në zgjedhje dhe doli e i përmendi disa gjëra. Çka ndryshoi pas dy ditëve?”, tha Bajqinovci.
Ai iu referua gjithashtu deklaratave të Abdixhikut në Kuvend, duke pyetur pse kryetari i LDK-së nuk e kishte cilësuar më herët ndryshimin e ligjit si “mashtrim”.
“Pse s’e tha në Kuvend këtë që është mashtrim? Ti drejtohesh PDK-së. Ke mundur me thënë para se me u çu në votim: pse qenka mashtrim?”, deklaroi Bajqinovci.