
Zëdhënësja e LDK-së, Sibel Halimi, ka thënë se Kosova është vendi i dytë më i keq në Evropë për të jetuar për gratë, sipas të dhënave të Indeksit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë të vitit 2023.
Ajo përmes një postimi në Facebook, ka thënë se vajza dhe gruaja kosovare diskriminohet në çdo hap të saj
Halimi ka shtuar se opozita e djeshme që erdhi në pushtet me përkrahje të grave, i ka braktisur ato, pasi i sheh vetëm si makineri elektorale.
Postimi i saj i plotë:
Kosova është vendi i dytë më i keq në Evropë për të jetuar për gratë, sipas të dhënave të Indeksit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë të vitit 2023, sipas gjetjeve të Institutit të Oslos për Kërkime Paqeje.
Pra, më keq se ne është vetëm Ukraina, që është në luftë. Vajza dhe gruaja kosovare diskriminohet në çdo hap të saj, duke mbetur në pritje të një pune, përherë e keqpaguar dhe, në raste të rralla trashëgon pronë nga prindërit.
Opozita e djeshme që u bë pushtet me përkrahjen e madhe të grave, i ka braktisur ato, sepse pushteti i sotshëm i sheh ato veç si makineri elektorale. Në një kohë kur lajmet për dhunën në familje janë kronika ditore, politika s’mundet thjesht të jetë vëzhguese pasive para këtij regresi social, para një patriarkati të ri, brutal!