Dëshmitari Sadik Halitjaha gjatë dëshmisë së tij tha se urdhrat nga Shtabi i Përgjithshëm nuk iu shkonin as nga Hashim Thaçi e as nga persona të tjerë.
Ai tha se organogrami i Shtabit të Përgjithshëm nuk ishte krejtësisht funksional.
“Urdhrat nuk vinin as nga Hashim Thaçi, por nuk vinin as nga të tjerët mjerisht që ne kemi pritë e kemi idealizu një Shtab të Përgjithshëm i cili duhet të jetë krejt funksional i cili duhet të ketë nivelin më të lartë të detyrës i cili realisht ka qenë gati thuaja fiktiv, thuaja fiktiv me shumë pak njerëz, shumë pak njerëz. Nuk besoj që Hashim Thaçin ka pas 2-3 vetë jo më shumë rreth vetës dhe nuk ka mund të bëjë edhe punën që e ka pas të bëjë për detyrë si duhet, por si do qoftë urdhrat nuk kanë ardh prej Hashim Thaçit”, tha Halitjaha.
Dëshmitarit Halitjaha iu prezantua edhe një fragment i librit të tij në të cilin i është kërkuar të përgjigjej edhe për emërtimin “Drejtori Politike” e cila sipas avokatit shkruhet se ishte e Thaçit.
“Te kthehemi tek libri juaj dëshmitar. Këtu thoni që sa i takon drejtorisë politike të formuar, ju thoni që; ndërkaq u formua dhe u organizua Drejtoria Politike pranë shtabit e cila ishte e pakët me njerëz dhe kuadro dhe po ashtu e papërvojë, por megjithatë pati rol të rëndësishëm në kontaktet e zhvillimet diplomatike që u zhvilluan me vonë si brenda Kosovës edhe në Rambuje. Në kohën kur Hashim Thaçi mori këtë rol, sipas mendimit tuaj dëshmitar ai ishte i ri dhe i papërvojë, shumë i papërvojë”, tha avokati Gregory Keohe teksa po shpjegonte fragmente nga libri i Halitjahes.
Në përgjigje të kësaj, Halitjaha tha se të gjithë kanë qenë pa përvojë mirëpo të gjitha takimet e nivelit politik ka qenë përfaqësues Hashim Thaçi.
“Ne ndoshta të gjithë kemi qenë pa përvojë se kemi qenë në përballje lufte që për herë të parë ndodhin disa gjëra në jetë. Por, kontaktet me Tina Kajdanoven Hoolbrouk-in dhe të gjithë përfaqësuesit që kanë ardh të takojnë kanë qenë të nivelit politik aty ku ka përfaqësu presidenti Thaçi.