
Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Bedri Hamza, nuk është shprehur u kënaqur me punën që Qeveria Kurti ka bërë gjatë këtyre dy viteve.
Ai ka thënë se gjatë kësaj periudhe qeveria nuk ka prodhuar ndonjë rezultat pozitiv domethënës për Kosovën.
Ish-ministri i Financave ka vlerësuar se ekzekutivi në asnjë fushë nuk ka rezultate të prekshme.
“Edhe pse është proklamuar si prioritet i ulet nga Qeveria Kurti, pjesën më të madhe të kohës e ka marrë procesi i dialogut. I vetëdijshëm që nuk ka alternativë, dhe i vetëdijshëm për kompleksitetin e këtij procesi, megjithatë për momentin nuk ka prodhuar ndonjë rezultat pozitiv domethënës për Kosovës. Në aspektin ekonomik ka vështirësi, në politikën e jashtme pa rezultate të prekshme, vështirësi të theksuara në arsim, shëndetësi dhe fusha të tjera. Nëse e shikojmë programin e qeverisë dhe premtimet e qeverisë dhe realizimin e këtyre premtimeve, del që kemi pasur një qeverisje jo efektive”, ka thënë Hamza.
Zyrtari i lartë i PDK-së ka theksuar se Qeveria është dashur që përmes legjislacionit të krijojë kushte dhe lehtësira për bizneset, me qellim që bizneset ta zhvillojnë aktivitetin e tyre ekonomik dhe të rritet prodhimi i produkteve brenda ekonomisë së Kosovës.
Gjithashtu, sipas tij, Qeveria është dashur të lehtëson qasjen në financa dhe të bëjë përkrahje përmes granteve.
“Kriza ekonomike është dashur të trajtohet me ndryshe sepse ekonomia e Kosovës po ballafaqohet nga kriza në krizë. Fillimit me pasojat nga Covid-19, ku për herë të parë në vitin 2020 është shënuar normë negative e rritjes ekonomike dhe ende pa i rikuperuar nga pasojat, ekonomia e Kosovës po përballet me normë të lartë të inflacionit i cili ka ndikuar negativisht në zhvillimin ekonomik të Kosovës. Sipas vlerësimeve norma e rritjes ekonomike do të sillet rreth 3%, normë kjo e pamjaftueshme për t`i adresuar sfidat e ekonomisë së Kosovës, siç janë përmirësimi i gjendjes ekonomike dhe sociale, papunësia, deficiti i lartë tregtar dhe për më tepër ulja e nivelit te invesitimeve kapitale që aktualisht është 16% e totalit të buxhetit është një faktor që ndikon në rritjen e qëndrueshme ekonomike”, është shprehur Hamza./Gazeta10