Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Haradinaj i drejtohet Policisë: Jeni ju ata që na siguroni gjumin e qetë

Gazeta10
07 Shkurt 2025 - 15:02

Ramush Haradinaj, kandidat për kryeministër nga koalicioni për “Kosovën Fituese 137”, i është drejtuar sot me një letër publike Policisë së Kosovës, duke shprehur mirënjohje të thellë për përkushtimin e tyre në ruajtjen e sigurisë së vendit dhe duke premtuar përmirësim të kushteve të tyre të punës.

“E ndjej në zemër dhe shpirt, atë që e përjetoni çdo ditë,” shkruan Haradinaj, duke theksuar sakrificën e përditshme të policëve për sigurinë e qytetarëve.

Ai veçanërisht përmend sfidat e turneve të natës dhe kushtet e vështira të punës që përballojnë pjesëtarët e Policisë së Kosovës, transmeton Klankosova.tv.

Kandidati për kryeministër vë në dukje nevojën urgjente për ndryshim në trajtimin institucional të forcave policore.

“Duhet të përfundoj kjo ëndërr e keqe, që e solli në kushte të vështira shpesh herë gjendjen tuaj, për kushtet më jetike që duhet t’i ketë një Polic/e,” thekson Haradinaj, duke sugjeruar se qeveria aktuale ka dështuar në përmirësimin e kushteve të punës së policisë.

Duke iu referuar zgjedhjeve të ardhshme, Haradinaj u bën thirrje policëve të përdorin instrumentin demokratik për të sjellë ndryshimin e nevojshëm.

“Populli është gjithmonë me ju, sepse ju i shërbeni vetëm popullit,” përfundon ai, duke shprehur mirënjohje të veçantë edhe për familjet e policëve që sakrifikojnë kohën me të dashurit e tyre në shërbim të sigurisë kombëtare.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2025 Të gjitha të drejtat e rezervuara.